E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, mediat në grevë për ligjin e Berluskonit

Protesta

Italia është përfshirë dje nga një “black out” informacioni i paprecedentë. Asnjë gazetë nuk ka dalë në treg, ndërkohë që televizionet dhe radiot nuk kanë transmetuar fare lajme. Edhe sajtet e internetit dhe agjencitë më të mëdha të lajmeve në vend kanë heshtur. Të vetmet që kanë dalë në treg kanë qenë gazetat “Il Giornale”, në pronësi të vëllait të Kryeministrit italian dhe “Libero”, gazetë kjo pro Berluskonit. Pothuajse të gjithë gazetarët janë futur në grevë kundër projektligjit mbi kufizimin e pushtetit të policisë dhe të prokurorëve për regjistrimin e bisedave telefonike dhe për publikimin e regjistrimeve të tyre nga ana e mediave. Sindikata e Gazetarëve e përshkroi grevën si “një ditë heshtjeje”, me qëllim që të tregojë “këtë lloj heshtjeje” që do ta impononte ligji. Për Federatën Kombëtare të Shtypit Italian, bëhet fjalë si për një “protestë të jashtëzakonshme ashtu edhe për dëshminë e një profesioni, atij të gazetarisë, që dëshiron të jetë i lirë për t’u ofruar qytetarëve një informacion korrekt dhe të plotë”. Një heshtje e detyruar dhe simbolike për të treguar atë çka mund të ndodhë në rast se ligji merr dritën jeshile në Dhomën e Ulët më 29 korrik. Kjo situatë është shoqëruar edhe me protesta nga ana e gazetarëve në qytete të ndryshme. Qeveria e Silvio Berluskonit i mbështet masat si të domosdoshme për mbrojtjen e privatësisë. Projektligji po ashtu parashikon gjoba prej gati gjysmë milioni euro për ata gazetarë që publikojnë transkriptet e regjistrimeve në media. Në muajin qershor, Senati aprovoi ligjin. Sipas institucioneve ndërkombëtare, ligji do të godasë seriozisht gazetarinë investigative në Itali.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›