Biblioteka Kombëtare feston 90-vjetorin
Nëntëdhjetë vjet më parë u themelua Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si institucion i parë shtetëror, publik e laik. Me këtë rast do të organizohet një ceremoni festive, ku do të jetë i pranishëm ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, drejtori Aurel Plasari dhe personeli aktual. Vendi i përzgjedhur nuk është godina aktuale e Bibliotekës Kombëtare, por biblioteka e “Librit Europian”, aty ku ka qenë më parë biblioteka e vjetër, ambientet e së cilës u restauruan në vitin 2008. Si bërthamë e Bibliotekës Kombëtare të themeluar më 1920 shërbeu fondi i bibliotekës së “Komisisë Letrare Shqipe”, organizëm i përbashkët shqiptaro-austriak, krijuar në qytetin e Shkodrës në vitin 1917, në kontingjencat e njohura të Luftës së Parë Botërore. Më 1920 ky fond u vendos në Ministrinë e Arsimit e më pas u bënë përpjekje për pasurimin e tij. Në momentin e përurimit, kjo bibliotekë kishte rreth 6000 vëllime. Për periudhën e paraluftës, spikat veprimtaria e saj në vitet e Mbretërisë Shqiptare (1928-1937), kur institucioni drejtohej nga atdhetari dhe lëvruesi i gjuhës shqipe, Sotir Kolea. Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti bibliotekën me një koleksion prej 15000 vëllimesh. Koleksionet me karakter albanologjik u rritën kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe bibliotekave private të personaliteteve të kulturës. Në fund të vitit 1947, fondi i saj numëronte rreth 100000 vëllime. Prej vitit ’90 politikat kanë ndryshuar dhe Biblioteka Kombëtare po synon drejt fondit dixhital të saj.
#