Itali: na ishte njëherë e majta
Në momentin kur Italia është totalisht në dorën e Sivlio Berluskonit, edhe opozita e imët që ekziston akoma, po thërrmohet ngadalë nën peshën e humbjeve elektorale. Disfata e zgjedhjeve vendore të rajonit Sardenja (ku Renato Soru, një ndër "kampionët" e së majtës u mund thellazi nga Ugo Cappellacci, figurë e njohur vetëm nga të qenit djali i llogaritarit të Kryeministrit), shkaktoi dorëheqjen e kryetarit (dhe themeluesit) të Partisë Demokratike, Valter Veltronit.
Zgjati vetëm gjashtëmbëdhjetë muaj pushteti i Veltronit, por rrallë ishte parë një lidership kaq i braktisur, i lënë pas dore, i ciflosur herë pas here, i tradhtuar gjithmonë edhe më shumë. Ëndrra e ish-kryebashkiakut të Romës (ku mandatin e dytë e fitoi me 60% të votave, shifra të papara në një komb historikisht të përçarë), u dërrmua nga potenca mediatike e Berluskonit, por mbi të gjitha, nga helmi i derdhur nga partnerët e vet.
Në një betejë të humbur, përgjegjësitë më të mëdha i ka komandanti dhe, në veçanti, Veltroni paguan dy gabime strategjike.
Gabimi i parë u konsumua gjatë aktit të lindjes së Partisë Demokratike: votimet paraprake të tetorit të 2007-ës. Pothuajse katër milionë shtetas u shprehën për të zgjedhur timonierin e kësaj foshnje politike. Veltroni triumfoi me 73% të preferencave, por asnjë nga "ujqërit e vjetër" (si D'Alema apo Bersani) nuk konkurroi, duke qëndruar në gjysmëhije për të kontrolluar drejtuesin e ardhshëm. Veltroni pranoi situatën për hir të një bashkimi më shumë të shpresuar sesa real, sepse është e vështirë të kesh mbështetjen nga të gjithë kur je në një pulari me shumë gjela.
Pika tjetër e dobët e projektit veltronian, qe paaftësia e tij për të gjetur një sintezë midis ideologjive të ndryshme që bashkëjetonin te PD-ja. Sepse një parti me shumë zëra, është një parti e dobët. Sidomos kur kundërshtari e ka emrin Silvio Berluskoni, i cili është në gjendje t'i mbushë mendjen shumicës së italianëve që gomari fluturon, vetëm duke e përsëritur mijëra herë nëpër televizionet e veta.
Nga ana tjetër, një thelë e majme e fajit të kësaj shpërbërjeje të dukshme të partisë më të madhe opozitare, bie mbi aristokracinë politike të së majtës; mbi "elefantët" e pavdekshëm, që prej dy dekadave dominojnë skenën publike. Janë të njëjtit që nuk kanë mësuar akoma çfarë emri t'i japin të djathtës demagoge tashmë në pushtet, jo pastaj të fitojnë sfidat elektorale; të njëjtit që përdorën PD-në si një mjet për të ripërtëritur çifligjet e veta politike.
Shembull i kristaltë është kacafytja e përhershme midis Veltronit dhe D'Alemës, për të zgjedhur më të mirin e të mirëve. Grindje që ka filluar nga vitet '80-të, që ka kapërcyer lindjet e vdekjet e katër partive të majta, për të përfunduar në gjirin e Partisë Demokratike. Si rezultat ka prodhuar një si tip përzierje stomaku te populli i thjeshtë, por asgjë më shumë.
Progresistët italianë janë të specializuar në prerjen e degës ku janë ulur, dhe kjo vetëvrasje politike i hap Berluskonit shumë dyer, që tashmë i konsideronte të mbyllura. Ndoshta edhe vetë presidencën e republikës.
Ogur i keq për demokracinë e këtij shteti.