Banka nga shtëpia, 86 mijë transaksione
Home Banking është një shërbim tjetër bankar, i cili po gjen përdorim gjithnjë e në rritje, duke u mundësuar klientëve përdorimin në distancë të llogarive bankare nëpërmjet një linje interneti, linjë telefoni apo një software që banka i vë në dispozicion klientit të saj. Ky shërbim u ofrua për herë të parë në vitin 2005, ndërsa në vitin 2011 ofrohet nga 11 banka. Gjatë vitit 2011 janë raportuar rreth 86 mijë transaksione elektronike “Home Banking” për të gjithë sistemin bankar, me një vlerë totale prej 46.16 miliardë lekësh. Në gjysmën e parë të vitit 2011, transaksionet elektronike “Home Banking” kanë shënuar rritje respektivisht prej 11% në numër dhe 13% në vlerë. Shërbimet bankare që ofrohen nga interneti kanë të bëjnë me pagesën e faturave dhe në monitorimin e llogarisë bankare. Në vendin tonë ky lloj shërbimi po njeh rritje të dukshme nga viti në vit.