E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali “patatinash”,jashtë Botërorit që në fazën e grupeve



Leonard Karaj

Italia eliminohet që në fazën në grupe të Botërorit 2010. Pas dy barazimeve me Paraguajn dhe Zelandën e Re, "axurrët" nxorrën bllof jo vetëm një tifozeri gjigandeske anekënd Botës por edhe shumë bastexhinj të thekur dhe analistë të sportit. Shkak për eliminimin është bërë jo vetëm një Sllovaki, modeste në pamje të parë por mjaft konkrete dhe rezultative por edhe një Itali "patatinash". Një skuadër, së cilës i mungon boshti: portieri-qendërmbrojtës-fantazist-sulmues. Ekipi që doli dje në fushë në "Ellis park" të Johanesburgut praktikisht luajti vetëm 10 minutat e fundit kur edhe ushtroi disi presion tek porta e portierit sllovak Musha. Në 80 minutat nuk u pa në fushë veçse një ekip që bridhte sa në njërin krah në tjetrin por pa asnjë lloj organizimi dhe rrezikshmërie për kundërshtarin.
Dy golat e parë të Sllovakisë, të shënuar nga Robet Vitek, erdhën pas gabimeve katastrofike dhe foshnjarake të dyshes Kanavaro-Kielini. Ish-lojtari i Lilës (Francë) përfitoi nga një ndërmarrje e gabuar e Kanavaros (1-0, 25'), dhe më pas nga një mungesë vëmendje e Kielinit (2-0, 75'), të cilat treguan qartë se Italia nuk ishte e qartë. Goli i tretë i Sllovakisë u shënuan pas një rreshtimi fatal të mbrojtjes italiane, kur zëvendësuesi Kopunek shënoi në topin e parë që preku (3-1, 89'). Edhe fati ishte me Sllovakinë, kur Skërtel e ndaloi topin, ndoshta brenda vijës së portës, kur rezultati ishte 1-0 për Sllovakinë, e barazimi do ta çonte Italinë në fazën tjetër të Botërorit.
Ndërkaq, ndonëse pati deklaruar se do të ndryshonte shumë në formacionin titullar për ndeshjen e tretë në grup, Lipi la në stol vetëm Markizion dhe Xhilardinon duke hedhur nga minuta e parë Gatuzon dhe Di Natalen. Ndërkohë që, Pacini, i vetmi sulmues italian që përfundoi Serinë A në një superformë u la sërish në stol, madje nuk u aktivizua as në pjesën e dytë. Fakt është se edhe këtë herë zgjidhjet e Lipit rezultuan të dështuara pasi nga fillimi i pjesës së dytë ai riformatoi skuadrën (Maxhio për Krishtiton dhe Kualiarela për Gatuzon). Por edhe në fraksionin e dytë të lojës u desh shumë për të parë një Itali me grinte dhe për më tepër me dëshirë për të fituar. Kanavaro në qendër të mbrojtjes ishte një fiasko, Pirlo (u fut në vend të Montolivos) nuk dinte ku ta çonte topin pasi ekipi lëvizte shumë pak në fushë dhe një Pepe në krahun e djathtë të sulmit, që vetëm me futbollin nuk kishte lidhje.
Ndërsa në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Paraguajt i mjaftoi një barazim për të marrë kryesimin dhe për t'u kualifikuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›