E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia kallëzim penal prefektit Keltis Kruja



Bashkia e Tiranë do të çojë në gjykatë prefektin Keltis Kruja, me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Me anë të një letre, që për dijeni i dërgohet edhe Kryeministrit të vendit dhe Ministrit të Brendshëm, kryebashkiaku Edi Rama ka dhënë argumentet për të gjitha pikat ku janë tejkaluar kompetencat e prefektit. Duke i cilësuar deklaratat e prefektit si abuzive, është vendosur që të jetë kjo kundërpërgjigjja institucionale. "Institucioni ynë do të depozitimojë një kallëzim për fillimin e ndjekjes penale për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe kërcënimit, për ngrirje të veprimeve në thesarin e shtetit dhe bllokim të fondeve të buxhetit të shtetit për Bashkinë e Tiranës, në kundërshtim të plotë me ligjin", thuhet në letrën dërguar prefektit. Në të theksohet se veprime dhe kërcënime të tilla, sjellin si pasojë pengimin e punës së Bashkisë Tiranë, për ushtrimin e funksioneve dhe kompetencave sipas ligjit. Po kështu ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët, në marrjen e të mirave dhe shërbimeve. Në letër janë renditur argumentet ligjorë, për tejkalimin e kompetencave nga prefekti. "Auditimi për fondin e veçantë, i kërkuar nga Prefekti i Qarkut Tiranë, është në kapërcim të kompetencave që ju burojnë nga kuadri ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë, duke ardhur në kundërshtim të plotë me dispozitat e legjislacionit, për kontrollin e jashtëm të njësive vendore", thuhet në letër. Kjo, sipas bashkisë, është arsyeja pse është refuzuar të auditohet nga ana e Prefektit të Qarkut Tiranë për fondin e veçantë. "Insistimi juaj për të kontrolluar Bashkinë e Tiranës në kundërshtim me ligjin, që përbën veçse pjesë të një sulmi politik të pushtetit qendror mbi Bashkinë e Tiranës, cënon rëndë parimet themelore dhe të rëndësishme të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që kanë të bëjnë me decentralizimin e pushtetit dhe autonominë vendore, mbi të cilat ngrihet dhe funksionon qeverisja vendore", thuhet në letër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›