E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria “OK” amerikanëve për kërkimin e naftës në Jug



nertila maho

Kompania amerikane Sky Petroleum ka marrë "OK" nga Qeveria shqiptare për të zhvilluar kërkimet e saj për naftë dhe gaz në jug të Shqipërisë me një investim fillestar 7-8 milionë dollarë. Përmes një marrëveshje të nënshkruar dje mes kompanisë dhe Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, të parës i lejohet aktiviteti në Bllokun 4 dhe 5 si dhe në zonën e Dumresë, ku parashikohet se ka potencial naftëmbajtës deri në 900 milionë barrela. Dy blloqet e përcaktuara për kërkime konkretisht përfshijnë zonën e Sarandës, Gjirokastrës, Vlorës deri në Tepelenë. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti pas nënshkrimit të marrëveshjes vlerësoi këtë moment, si mjaft të rëndësishëm, duke shtuar se amerikanët do të kërkojnë naftë dhe gaz në një zonë që më parë ka hasur vështirësi në tërheqjen e investimeve të kësaj natyre. Ai dha edhe detajet lidhur me harkun kohor dhe mënyrën se si do të vijojnë zbatimin e projektit për kërkime Sky Petroleum. "Me këtë marrëveshje mbyllet një zonë shumë e rëndësishme, që mendojmë se është një zonë me potencial të madh naftë mbajtës dhe gazmbajtës në vend, për t'u eksploruar plotësisht dhe deri në fund, të paktën për një hark kohor disa vjeçar, sipas marrëveshjes. Në vitin e parë, kompania do të bëjë përpunimin e të dhënave sizmike dydimensionale që ne kemi sot në arkivat tona, rishikimin dhe përpunimin e tyre. Në vitet e tjera ka një grafikë të detajuar të investimeve dhe kërkimeve që do të bëhen në këto zona", shpjegoi ministri. Ndërkohë, që përfaqësuesi i kompanisë amerikane Sky Petroleum, Karim Jabanputra, veç komenteve pozitive për këtë marrëveshje të arritur me Qeverinë, shqiptare vlerësoi shpejtësinë dhe lehtësinë e procesit për nënshkrimit të saj me autoritetet përkatëse në këtë rast, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. "Eksperiencat e mëparshme të kompanisë kanë treguar që procese të tilla kanë qenë shumë të gjata, ndërkohë që në rastin e marrëveshjes me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në Shqipëri, ky proces ka qenë shumë i shpejtë", nënvizoi Jabanputra. Lidhur me afatin kur do të fillojë puna konkrete në terren përfaqësuesi i kompanisë amerikane sqaroi se sipas kontratës, brenda tre muajsh kompania duhet të fillojë punimet dhe pas analizimit të të dhënave, në fillim të vitit tjetër duhet të fillojë puna konkrete në Blloqe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›