Bosch: Partitë nuk duhet të kenë të drejtë të ndërrojnë komisionerët
Një vit pas zgjedhjeve të 28 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve te Prezenca e OSBE-së në vendin tonë i rikthehen sërish problemeve të vërejtura në administrimin e procesit elektoral. Në një takim të mbajtur ditën e djeshme, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së, Robert Bosch kërkoi që partitë politike të mos kenë të drejtë të zëvendësojnë anëtarët e niveleve të ulëta zgjedhore, ndërkohë që komisionerëve u kërkoi të mos ndikohen nga prirjet politike. "është vendimtare që për garantimin e administrimit të pavarur dhe profesionist të zgjedhjeve, partive politike nuk u duhet lejuar që t'i zëvendësojnë anëtarët e komisioneve të niveleve më të ulëta në mënyrë arbitrare. Zëvendësime të tilla duhet të lejohen vetëm për arsye specifike, të parashikuara qartë nga kuadri ligjor. Përveç kësaj, Kodi Zgjedhor duhet të garantojë mekanizma efektivë për plotësimin e vendeve të lira në administratën zgjedhore, në rast se partitë politike nuk ushtrojnë të drejtën e tyre për të bërë emërime brenda afateve të përcaktuara", tha Bosch. Sipas tij, "përfundimisht, komisionerët zgjedhorë, ashtu sikurse të zgjedhurit dhe zyrtarët e emëruar të të gjitha niveleve, duhet të mos i bazojnë veprimet dhe vendimet e tyre në lidhje me zgjedhjet mbi konsideratat e tyre politike". Në të njëjtën linjë ishte edhe kreu i KQZ-së, Arben Ristani, sipas të cilit ka ardhur koha që bindjet apo preferencat politike të mbeten totalisht personale dhe të mos ndikojnë në punën e kujtdo. "Në raportin përfundimtar të Misionit të Vëzhgimit të OSBE/ODIHR, edhe pse u nënvizua se zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit ishin zgjedhjet më të mira të realizuara në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, citohej se pavarësisht këtij fakti 'Shqipëria nuk shfrytëzoi të gjitha kapacitetet maksimale të saj'", tha Ristani.
Debati Ristani- Subashi
Edhe pse ka kaluar kohë nga debatet e ashpra politike mes anëtarëve të KQZ-së, tryeza e djeshme nuk i ka shpëtuar replikave mes kryetarit Arben Ristani dhe nënkryetares, Dëshira Subashi. Në përfundim të fjalës së kreut të KQZ-së dhe ambasadorit Bosch, Subashi është shprehur se megjithë pozicionin që ka në këtë institucion, nuk është lajmëruar më parë për aktivitetin. "Duke qenë nënkryetare e KQZ, unë jam ftuar që të marr pjesë në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm, dhe nuk ndjehem mirë që në një analizë pune për të rregulluar punët e së ardhmes, unë të mos jem e informuar", tha Subashi. Ristani është përgjigjur menjëherë duke thënë se "edhe unë pa letër fola në këtë takim". Më pas, ajo është larguar nga tryeza dhe ka qëndruar në hollin e hotel "Sheraton", ku ka biseduar gjatë me ambasadorin Bosch. Pak minuta më vonë, pranë tyre është afruar edhe kryetari Ristani dhe të tre kanë dalë në një nga tavolinat e barit jashtë hotelit. Takimi i tyre ka vazhduar për rreth 90 minuta dhe më pas Ristani është kthyer në tryezën me komisionerët.