"Tirana e re", 11 autobusë të rinj
Pas linjës së unazës, autobusë të rinj, sipas të gjitha standardeve evropiane, edhe në linjën e "Tiranës së re". Ashtu siç kishte premtuar, Bashkia e Tiranës filloi dje ndërhyrjen në mjetet e transportit publik, si pjesë e paketës së masave të përmirësimit të shërbimit. Linja "Tirana e Re" filloi fazën e parë të rinovimit të të gjitha mjeteve, duke vënë në punë 11 mjete të reja, me kilometrazh zero, me standarde të Bashkimit Europian, (EURO 5). Ato do të jenë pjesë e projektit të një rinovimi të Parkut të mjeteve, ku do të vihen në shërbim të qytetarëve mjete të reja, në 50 % të inventarit, si dhe mjete të viteve të fundit, në një investim që konsideron tashmë si të domosdoshëm ato që quhen "kushtet e komfortit dhe aksesibilitetit të shërbimit". "është pjesë e punës sonë të përditshme, transformimi rrënjësor i kushteve të shërbimit në transportin urban dhe sot kurorëzohet në fakt një punë disavjeçare, e bazuar në domosdoshmërinë për t'iu përgjigjur kërkesave në rritje të qytetarëve dhe njëkohësisht në përmbushjen e një prioriteti dhe premtimi kryesor, që shërbimi urban i kryeqytetit të jetë i standardeve të çdo kryeqyteti europian", u shpreh kryebashkiaku Edi Rama, i pranishëm në inaugurimin e autobusëve të rinj.