E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, pikëllim për arrestimin e bosit

Në Kazapezena, qytezë në jug të Italisë, shumë njerëz janë mbledhur në sheshin kryesor dhe flasin për arrestimin e bosit të Kamorës, Michele Zagaria.

Pothuajse të gjithë shprehen të keqardhur për atë që ndodhi, pasi tani, sic thonë vetë ata, askush nuk do t`u japë më për të ngrënë.

Madje, disa qytetarë shprehen kundër një prokurori dhe një shefi të policisë së Napolit, i cili ndodhet nën hetim për lidhje me një biznesmen të afërt me mafian.

“Prokurori nuk duhet të na i bënte këtë. Kthimi i policit Vittorio Pisani, i përfshirë në një hetim, nuk është i drejtë”, thotë një prej banorëve.

Dhe teksa ai thotë këto fjalë, shumë njerëz përreth e duartrokasin. Më pas, edhe të tjerë dalin në mbrojtje të bosit Zagaria.

“Edhe ndaj Berlusconi-t, senatorit Dell`Utri dhe disa ministrave rëndojnë akuza të rënda. Ndryshimi mes tyre dhe Zagaria-s është se ata mund të bredhin të lirë, ndërsa Zagaria jo”, shprehet një prej të pranishëmve.

Më tej i njëjti person shton: “Ai ishte miku ynë, na qëndronte pranë. Ishte një njeri i thjeshtë të cilin shteti e bllokoi”.

Ndërsa një zonjë në moshë të thyer shprehet edhe më e indinjuar para kamerave të agjencive italiane të lajmeve: “Shkoni të vrisni veten. Duhet t`u thoni të gjithëve se na vjen keq. Zagaria neve nuk na ka bërë asgjë të keqe”, thotë ajo.

Michele Zagaria, i konsideruar si kreu i një prej organizatave kriminale më të fuqishme të Italisë, u arrestua të mërkurën në një vilë-bunker në qytezën Kazapezena.

Prej kohësh ai dyshohej se fshihej atje, pasi sipas autoriteteve dhe dëshmive të sipërpërmendura, mbrohej nga banorët dhe duhet të ushtronte kontrollin në territorin e tij.

Varfëria në rajonin e Kampanias dhe në të gjithë jugun e Italisë, bën që organizatat kriminale atje t`u ofrojnë mbështetje ekonomike banorëve, të cilët si këmbim i ndihmojnë për t`u shpëtuar operacioneve të policisë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›