ISKSH-ja, inspektim farmacive në të gjithë vendin
Emanuela Sako
Farmacitë në të gjithë vendin po i nënshtrohen një kontrolli të vazhdueshëm nga ISKSH-ja për verifikimin e abuzimeve që mund të jenë kryer nga farmacitë. Inspektimet janë kryer gjatë gjithë këtyre muajve, duke ushtruar kontroll në të gjitha farmacitë që kanë lidhur kontratë me ISKSH-në. Burime nga ISKSH-ja bëjnë të ditur se lidhur me inspektimet do të ketë një raport të qartë për të gjitha shkeljet që mund të hasen, si dhe masat që do të marrë ky institucion ndaj tyre. Tashmë po përpunohen të gjitha të dhënat për farmacitë dhe dokumentacionin përkatës dhe do të dilet në një relacion të qartë, ku pritet që një pjesë e atyre që kanë shkelur kontratën me ISKSH-në të përjashtohen nga kontrata. Inspektimet fokusohen kryesisht në lidhje me kontrollin e qarkullimit të barnave me rimbursim dhe zbatimin e detyrimeve kontraktuale me ISKSH-në. Nëpërmjet masave të marra, qytetarët do të jenë më të sigurt dhe më të mbrojtur nga blerja e barnave dhe nga rreziqet që mund të shkaktohen në rast se do të jenë jashtë standardeve të përdorimit.
Kontrolli
Gjatë muajve të fundit, specialistët e Drejtorisë së Kontrollit të Mjekut dhe të Farmacisë pranë ISKSH-së kanë kryer inspektime në terren në të gjitha farmacitë e vendit, që kanë kontratë me ISKSH-në. Masat që parashikon me ligj Rregullorja e ISKSH-së janë penalizimet nëpërmjet gjobës dhe prishja e kontratës me farmacitë që kanë lidhur kontratë në fillim të vitit. Relacioni i hartuar nga specialistët e ISKSH-së për këtë çështje pritet të dalë gjatë këtyre dy muajve, ku do të jepen të gjitha të dhënat sipas rretheve përkatëse, ku janë hasur shkeljet përkatëse. Kontrolli bëhet për të verifikuar gjendjen e barnave të rimbursueshme, për datën e skadencës dhe për mënyrën e tregtimit nga farmacistët.
Shkeljet
Nga përvoja e viteve të kaluara, rastet e abuzimeve të subjekteve farmaceutike vërehen në lidhje me dhënien e barnave me rimbursim, duke u rimbursuar pa pasur gjendje në farmaci dhe që nuk kanë qenë as të justifikuara me dokumentacionin përkatës. Po kështu, shkeljet e konstatuara vitin e kaluar janë për rastet e tregtimit të barnave me rimbursim pa pullën e kontrollit të Ministrisë së Shëndetësisë, duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin për barnat dhe shërbimin farmaceutik. Të gjitha barnat i nënshtrohen kontrollit edhe për datën e skadencës. Për të gjitha këto shkelje, ISKSH-ja ka marrë masa parandaluese dhe disa farmacive nuk u është lejuar ripërsëritja e kontratës për vitin tjetër.
13 Nentor 2008