E Diel, 1 Nëntor 2026

Alibeaj: “Ka nisur prej kohësh regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme”



TIRANË - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, shprehu dje vullnetin e dikasterit që drejton për të mbështetur përmirësimin e punës në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (Hipoteka), si dhe shërbimet që ofron për qytetarët kjo zyrë. Këto zyra janë mjaft të “rrahura” nga qytetarët, të cilët kryejnë veprime të rëndësishme për regjistrimin e pasurive të tyre të patundshme, si dhe veprime të tjera për të marrë dokumente që u nevojiten për zhvillimin e aktiviteteve familjare dhe të biznesit.
Takimi
Gjatë një aktiviteti të organizuar sot në Hotel Tirana Internacional nga Forumi për Demokraci dhe Etikë dhe nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë për rritjen e transparencës në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ministri Alibeaj theksoi se po punohet në tre drejtime kryesore; regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme, proces që është ende në vijim, sigurimin e të dhënave dhe kompjuterizimin e tyre, si dhe hartimin e akteve normative për përmirësimin e këtij shërbimi.
Duke iu referuar këtyre komponentëve, ministri theksoi se kjo do të sjellë rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe transparencën e këtij institucioni, të cilën e cilësoi si një bankë të dhënash. Po ashtu, puna në këtë drejtim, tha ministri, do të ketë impakt edhe në goditjen e fenomeneve të korrupsionit.
Ambasadori britanik
Nga ana tjetër, ambasadori britanik Fraser Uillson, theksoi rëndësinë e aksesit të informacionit të qytetarëve ndaj kësaj zyre, që do të çojë në rritjen e transparencës së saj. Gjatë fjalës së tij, ambasadori Uillson iu referua edhe progres-raportit të vitit 2008 të BE-së për Shqipërinë në drejtim të punës për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, që nënvizon, ndër të tjera, një strategji për zgjidhjen e problemit për çështjet e pronësisë, amendime ligjore dhe luftë kundër korrupsionit. Ky aktivitet shënon fazën e dytë të një projekti të iniciuar nga Forumi për Demokraci dhe Etikë me mbështetjen e Ambasadës të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, me qëllim trajnimin e personelit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në rrethe për rritjen e transparencës së këtij institucioni.

Qirjako: “Reformat, rezultati është pozitiv në Hipoteka”

TIRANË - Drejtori i Përgjithshëm i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Arben Qirjako, tha dje se reformat e ndërmarra në këtë fushë kanë sjellë rezultate pozitive dhe rritur besueshmërinë e institucionit. Sipas tij, ZRPP po krijon regjistrimin fillestar të 500 mijë pasurive të paluajtshme, një proces që po ecën mirë dhe me ritme të shpejta në të gjitha rrethet, por në Durrës dhe Tiranë thuajse ka përfunduar skanimi i dokumentacionit të pasurive të paluajtshme. I pranishëm në një aktivitet për rritjen e transparencës së kësaj zyre, organizuar në Hotel Tirana Internacional nga Forumi për Demokraci dhe Etikë dhe Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Qirjako shtoi se për modernizimin e institucionit të Hipotekës po bëhet kompjuterizimi i të dhënave për pronat në funksion të ndërtimit të një sistemi të sigurt dhe fleksibël. Ai shprehu vullnetin për rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarin, transparencën e institucionit që drejton dhe luftën kundër korrupsionit.

13 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›