E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inspektorati i Pasurisë, kallëzim penal për prokurorin Arjan Ndoi



Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive ka ngritur një padi penale ndaj kryeprokurorit të rrethit të Durrësit, Arjan Ndoi. Lajmin e bëjnë të ditur burime pranë këtij institucioni, i cili dyshon për burimin e pasurive të prokurorit.
Arjan Ndoi u emërua në krye të institucionit të akuzës së Durrësit nga prokurorja e Përgjithshme Ina Rama. Në kallëzimin për ndjekje penale ndaj shtetasit Arjan Ndoi, me funksion drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, i cili është bërë në Prokurorinë e Tiranës, shkruhet: “Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, bazuar në kërkesat e Ligjit nr. 9049 datë 10.04.2003 ‘Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë’, si dhe të Ligjit nr. 9367, datë 07.04.2005 ‘Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike’ për shkak të problemeve të konstatuara gjatë kontrollit paraprak aritmetik dhe logjik më datë 02.05.2008, ka vendosur kalimin për kontroll të plotë të deklaratës së subjektit të Deklarimit të Pasurive, Arian Ndoi, me detyrë drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Ky subjekt, në deklaratën e tij pasurisë, datë 05.03.2008, ka deklaruar se për periudhën qershor 2004 – janar 2008, kohë gjatë së cilës ka ushtruar profesionin e avokatit si anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë, ka përfituar pasuri në shumën 743.000 euro (shtatëqind e dyzetë e tre mijë euro)”.

13 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›