Itali, pranga për shqiptaren shtatëzanë, u kap me drogë

Agjentët e Komisariatit të Policisë kanë arrestuar në Olbia të Italisë një shtetase shqiptare e cila përfitonte nga shtatëzania dhe e fshihte drogën nën veshje. Kështu sipas mediave italiane është arrestuar shqiptarja 30-vjeçare Ariana Zelo, e cila mbante fshehur nën veshje 35 gramë kokainë. Sipas mediave italiane policët kanë hyrë me forcë në banesën e saj ku ajo ishte bashkë me një tjetër shtetas shqiptar identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Shqiptarja është arrestuar me akuzën e mbajtjes me synim shpërndarjeje të substancave të ndaluara. Pas arrestimit të gruas, çështja i është kaluar Prokurorisë, që duke parë gjendjen e avancuar të shtatëzanisë të së akuzuarës Zelo, ka urdhëruar arrest shtëpie në spitalin, ku ajo është shtruar për lindjen.