E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një studente mbijeton për 23 orë në krevatin e bllokuar nga betoni

Marta Valente ia ka dalë pasi ka mbijetuar nën gërmadha për mbi 23 orë. Është ky komenti i mediave italiane, menjëherë pas operacionit të shpëtimit të studentes, e cila mbijetoi falë fatit dhe të qenit shtrirë në një krevat, pjesët anësore të të cilit mundën të mbanin copat e betonit që ranë nga shkëputja e tavanit të dhomës ku ajo flinte. Operacioni për shpëtimin e saj ka zgjatur rreth 5 orë nga trupat e specializuara të ndërhyrjes alpine. "Ishte një punë shumë e ndërlikuar dhe delikate", tregon njëri nga forcat e shpëtimit. Ai shton se fillimisht duhet të bënim mjaft kujdes që pjesët e betonit të mos binin mbi trupin e vajzës, e cila qëndronte shtrirë në shtrat në një distancë prej vetëm 20 centimetrash nga pllaka e betonit që kishte përsipër. Marta ia dedikon jetën e saj këtyre njerëzve dhe natyrisht fatit. Vajza kishte mbetur e bllokuar me pllakën e betonit përsipër, por që fatmirësisht i kishte penguar trarët e tavanit që të merrnin jetën e saj. Studentja 24-vjeçare nga provinca e Teramos, Marta, ka falënderuar edhe Mateon, një djalë që e nxorën nga rrënojat e së njëjtës ndërtesë disa orë përpara saj. Kishte qenë pikërisht ai që njoftoi forcat e ndërhyrjes alpine dhe i tregoi për vendndodhjen e vajzës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›