Itali, rritet numri i viktimave nga tërmeti

Dy persona të tjerë janë nxjerrë sot të pajetë nga ekipet e shpëtimit në rrënojat e një konvikti në Akuila. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se po vazhdohet puna për gjetjen e të mbijetuarve të mundshëm nën rrënoja.
Tërmeti i djeshëm që goditi Italinë qendrore ka shkaktuar dëme të mëdha të cilat kapin shifrën e 1 miliard e 300 milion eurove, bën të ditur ministri italian i Infrastrukturës, Altero Matteoli. "Vlerësimi i dëmeve shkon në 1 miliard e 300 milion euro, për sa i përket banesave. Shifra do të rritet pasi ka edhe dëme të tjera që duhen vlerësuar", deklaron ministri italian. Zjarrfikësit bëjnë të ditur se janë nxjerrë mbi 100 persona të gjallë nga rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmeti në Aquila. Ndërkohë, numri i të vdekurve mësohet të ketë shkuar mbi 180.