E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankierët: Të ulet norma e interesit

 

Fabiola Çela

Banka e Shqipërisë duhet të ulë normën bazë të interesit. Kërkesa vjen nga vetë bankierët, sipas të cilëve marrja e një vendimi të tillë do të lehtësonte koston e kredive për konsumatorët. Sipas ekspertëve të bankave duke qenë se inflacioni është në nivelet më të ulëta, premisat janë për ulje të normës së interesit. Sipas bankierëve, ulja e normës bazë të interesit do të çonte në një kosto më të ulët të lekut për bankat dhe për rrjedhojë do të kishte edhe norma interesi më të ulëta për kreditë në lekë.
Leku
Norma bazë e interesit, REPO, është 6.25 për qind. Kjo normë është vendosur në nëntor të viti 2007 dhe që atëherë nuk është ndryshuar nga Këshilli Mbikëqyrës i bankës. Aktualisht, sipas burimeve konfidenciale nga BSH, pritet që Banka të vendosë uljen e normës bazë të interesit për lekun. Vendim ky që do të pasojë zvogëlimin e normës bazë të interesit nga banka qendrore evropiane për euron dhe rezerva federale për dollarin amerikan. Vendimi pritet të ndodhë së shpejti. Por në një farë mënyre, vetë Guvernatori Fullani ka paralajmëruar një veprim të tillë. Në takimin e fundit, duke analizuar gjendjen monetare të vendit, ai nënvizoi se tashmë po krijohen kushtet për një lehtësim të politikës monetare. Fullani ju referua stabilizimit të inflacionit. "Balanca e rreziqeve për inflacionin në të ardhmen është e zhvendosur në kahun zbritës, duke krijuar hapësira për manovrim në të ardhmen e afërt".
Kreditë
Ulja e normës së interesit të lekut e bën monedhën më të dëshiruar për kredi, dhe si rrjedhojë më shumë para për investime dhe për konsum. Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, teprica e kredisë është zgjeruar me 29 miliardë lekë në tremujorin e tretë të vitit 2008, duke ruajtur ritmet e larta të rritjes vjetore prej 43 për qind. Raporti i kredisë ndaj PBB-së dhe aktiveve të sistemit ka shënuar rritje të mëtejshme, duke arritur respektivisht në 36 për qind dhe në 41 për qind. Kontributin kryesor në rritjen e kredisë vazhdon ta japë kredia në valutë, e nxitur nga diferenca pozitive e normave të interesit të kredisë në lekë ndaj asaj në valutë. Bizneset kanë qenë përdoruesit më të mëdhenj të kredisë bankare, duke ndikuar me 66 për qind në zgjerimin e portofolit të kredisë. Shpërndarja e kredidhënies, sipas sektorëve të ekonomisë, konfirmon se portofoli i kredisë dominohet nga kreditimi i sektorëve të tregtisë (24.8 për qind), ndërtimit (14.7 për qind) dhe industrisë (15.5 për qind). Ritmi i rritjes së portofolit të kredisë për individët është reduktuar në 41.0 për qind, nga 67.7 për qind për vitin 2007, si pasojë e frenimit të ritmeve të rritjes vjetore të kredisë konsumatore.  Portofoli i individëve është zhvendosur drejt kreditimit për blerjen e banesave, e cila në tremujorin e tretë arriti në 66 për qind të këtij portofoli.

Bankat e huaja ulin normën bazë të interesit

Muaji tetor shënoi një ngjarje të veçantë në historikun e bankingut qendror, kur gjashtë banka kryesore ndryshuan normën bazë të interesit me një lëvizje të koordinuar dhe jashtë radhës. Rezerva Federale (Fed), Banka Qendrore Evropiane (BQE), Banka e Suedisë, Banka e Anglisë, Banka e Kanadasë dhe Banka Kombëtare e Zvicrës lajmëruan uljen e normës bazë, ndërkohë që Banka e Japonisë në këtë moment shprehu përkrahjen për këtë vendim. Pas vendimeve të marra niveli i euroliborit është 3.185 për qind është euribor. Niveli i tij pësoi rënie të ndjeshme, si pasojë e krizës financiare ndërkombëtar. Mediat e huaja kanë deklaruar se këtë vit inflacioni në zonën e euros pritet të arrijë për herë në parë në nivelin e 4 përqindëshit. Ndërsa niveli i liborit është 0.5 për qind. Për të frenuar krizën financiare ndërkombëtare, Banka e Amerikës vendosi që brenda një harku të shkurtër kohor të ulë sërish liborin. Kriza globale financiare i dha efektet e saj të para në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ekonomia e së cilës është zyrtarizuar se është në recesion.

Ulja e valutës nga emigrantët, rritet vlera e euros në treg

Monedha evropiane ka fituar terren ndaj lekut. Dje në Agjencitë e Këmbimit Valutor, një euro u ble me 124,5 lekë dhe u shit me 125 lekë, duke pësuar rritje krahasuar me pak ditë më parë. Shkak për këtë është largimi i emigrantëve. Ndërkohë, sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2008 është vënë re një theksim i tendencës rënëse të mbiçmimit të kursit të këmbimit të lekut, një tendencë kjo e vërejtur që nga fillimi i tremujorit të dytë të këtij viti. "Dobësimi i lekut në fund të tremujorit të tretë dhe fillimit të tremujorit të katërt ka pasqyruar zhvillimet e tregut të brendshëm, si dhe ecurinë e raportit euro/ usd në tregjet ndërkombëtare", thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Nënçmimi i lekut kundrejt monedhës evropiane ka ardhur si rezultat i kërkesës së lartë për këtë të fundit. Kjo kërkesë është përqendruar kryesisht në dy periudha. Fillimisht gjatë muajit shtator, kur kërkesa për valutë ka ardhur si rezultat i konvertimit të fitimeve nga kompanitë e huaja dhe pas një korrektimi të këtij efekti; dhe në tetor nga kërkesa e lartë për valutë kryesisht jashtë sistemit bankar. Sipas BSH-së, në tetor leku është dobësuar në terma vjetorë kundrejt euros dhe dollarit, përkatësisht me 0.6 dhe 7.6 pikë përqindjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›