E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëzohet për herë të dytë buxheti i Bashkisë së Tiranës

 

Rrëzohet  për herë të dytë buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2009.    Mbledhja e djeshme e Këshillit Bashkiak  është karakterizuar nga debate të forta mes anëtarëve që ishin pro e kundër tij. Pas një sërë argumentesh e kundërargumentesh nuk u arrit të plotësohej kuorumi i nevojshëm prej 29 votash për ta miratuar. Në rast se në mbledhjen e ardhshme ndodh e njëjta gjë,  atëherë Këshilli Bashkiak shpërndahet e zgjedhjet bëhen nga e para. Për anëtarët e djathtë dhe përfaqësuesit e LSI, buxheti është cilësuar flagrant , me nivele shumë të dobëta  dhe aspak transparent. Pos kësaj  anëtarët e këshillit e vlerësuan atë si një  buxhet elektoral, klientelist  e të  korruptuar. "Rama nuk bëri analizën e buxhetit të 2008 dhe nuk solli detajimin e fondit të investimeve për 2009 ashtu siç iu kërkua nga këshilli në dhjetor, nuk mori parasysh asnjë prej propozimeve tona të cilat konsistonin në ngrohjen e shkollave dhe kopshteve në rrugë e kanalizime", u shpreh kryetarja e grupit të LSI , Monika Kryemadhi. Ajo u shpreh se buxheti lë për të dëshiruar dhe është paraqitur sërish pa asnjë ndryshim. "Rama e ka për detyrë t'u japë sqarime qytetarëve që paguajnë taksat me të cilat ai bën investimet. Nga sa duket buxheti është i njëjtë me atë të vitit të shkuar dhe nuk jep asnjë detaj se çfarë është realizuar për 2008", tha Kryemadhi. Ndërsa kryetari i grupit të PD, Ferdinand Poni, kërkoi që në mbledhje të ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Edi Rama për të dhënë shpjegime mbi buxhetin. "Një nga pikat më kryesore të mbledhjes së kaluar ishte se largesa e kryetarit të Bashkisë ishte një gjest i turpshëm dhe mjaft i frikshëm. Ai iku pa dhënë asnjë shpjegim sepse buxheti i hartuar nga ai nuk ka projekte dhe është flagrant", tha Poni. Por menjëherë pas akuzave të tij, anëtari i PS Arben Ahmetaj e ka quajtur buxhetin si dokumentin më të mirë të këtyre 6 viteve. "Buxheti është bërë në mënyrë transparente dhe janë dashur 4 muaj për hartimin e tij. Ai përfshin probleme që kanë hasur qytetarët dhe prioritetet e paraqitura në të janë të njëjta me prioritetet e tyre", tha Ahmetaj.  Ai theksoi se është reflektuar mbi disa projekte, që janë financuar dikur e i përkasin akoma financimeve të 2009-ës. "Projekti ka ardhur me frymën e transparencës, është i saktë dhe brenda ligjit", tha Ahmetaj.  Pas kësaj reagoi edhe anëtari i LSI , Petrit Vargu, duke ngritur një tjetër problem të pa përfshirë në buxhet. "Në Tiranë janë trefishuar sëmundjet infektive për shkak të ushqimeve. Këto të dhëna janë të sakta e të dala nga studimet e mjekëve më të njohur që kemi. Jetojmë në të vetmin kryeqytet në Evropë që nuk ka thertore. Duhet bërë patjetër një plan për këtë pasi rrezikohet drejtpërdrejt jeta e qytetarëve", tha Vargu. Ndërkaq, anëtari i PD Flamur Noka e  quajti  turin e  dialogëve që ka bërë kryebashkiaku  Edi Rama si tur  me vetveten dhe jo me qytetarët. "Ky buxhet pasqyron fantazinë e errët të kryetarit të Bashkisë dhe është shumë më i dobët se ai i 2008. Administrata e Bashkisë ka funksionuar shumë më keq dhe është në nivele shumë të dobëta", tha ai duke shtuar se bashkia nuk ka arritur të bëjë asnjë gjë lidhur me kërkesat e anëtarëve të këshillit. "Prandaj them se ky buxhet është  i varfër, klientelist, pa baza dhe i korruptuar", theksoi Noka. Këto akuza i ka kundërshtuar anëtari i PS-së, Besnik Bare. "Nuk e kuptojmë ku e shihni mungesën e transparencës, ai ka një shpërndarje uniforme, pa ndonjë kriter politik. Gjithashtu, janë bërë ndryshimet përkatëse sipas kërkesave të qytetarëve dhe është tejet koherent sa i përket investimeve. Ka 8 vjet që përsëritet e njëjta histori. Për fatin tuaj të keq kemi po kaq kohë që qytetarët na kanë mbështetur", tha Bare. Reagime pati edhe nga anëtaret e tjetër të këshillit, pjesa më e madhe e të cilëve ishin kundër miratimit të tij. "Rama në nëntor hapi turin e dëgjesave publike, ndërsa në dhjetor nuk i shtoi asnjë presje projektbuxhetit të hartuar nga po ai. Ku janë propozimet e qytetarëve sa kërkesa të tyre dhe sa të njësive bashkiake janë marrë parasysh", tha Kule. M.SH

debatet

Monika Kryemadhi: Rama nuk bëri analizën e buxhetit të 2008 dhe nuk solli detajimin e fondit të investimeve për 2009 ashtu siç iu kërkua nga këshilli në dhjetor, nuk mori parasysh asnjë prej propozimeve tona, të cilat konsistonin në ngrohjen e shkollave dhe kopshteve në rrugë e kanalizime. Ai ka për detyrë t'u japë sqarime qytetarëve, që paguajnë taksat me të cilat ai bën investimet. Nga sa duket buxheti është i njëjtë me atë të vitit të shkuar dhe nuk jep asnjë detaj se çfarë është realizuar për 2008.
Ferdinand Poni: Një nga pikat më kryesore të mbledhjes së kaluar ishte se largesa e kryetarit të Bashkisë ishte një gjest i turpshëm dhe mjaft i frikshëm. Ai iku pa dhënë asnjë shpjegim sepse buxheti i hartuar nga ai nuk ka projekte dhe është flagrant.
 Arben Ahmetaj: Buxheti është bërë në mënyrë transparente dhe janë dashur 4 muaj për hartimin e tij. Ai përfshin probleme që kanë hasur qytetarët dhe prioritetet e paraqitura në të janë të njëjta me prioritetet e tyre. Projekti ka ardhur me frymën e transparencës, është i saktë dhe brenda ligjit.
Petrit Vargu: Në Tiranë janë trefishuar sëmundjet infektive për shkak të ushqimeve. Këto të dhëna janë të sakta e të dala nga studimet e mjekëve më të njohur që kemi. Jetojmë në të vetmin kryeqytet në Evropë që nuk ka thertore. Duhet bërë patjetër një plan për këtë, pasi rrezikohet drejt për drejt jeta e qytetarëve
Flamur Noka: Ky buxhet pasqyron fantazinë e errët të kryetarit të Bashkisë dhe është shumë më i dobët se ai i 2008. Administrata e Bashkisë ka funksionuar shumë më keq dhe është në nivele shumë të dobëta. Prandaj them se ky buxhet është  i varfër, klientelist, pa baza dhe i korruptuar
Besnik Bare: Nuk e kuptojmë ku e shihni mungesën e transparencës, ai ka një shpërndarje uniforme, pa ndonjë kriter politik. Gjithashtu, janë bërë ndryshimet përkatëse sipas kërkesave të qytetarëve dhe është tejet koherent sa i përket investimeve. Ka 8 vjet që përsëritet e njëjta histori.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›