Itali, shqiptari ther kunatën me të motrën dhe mbesën 3-vjeçare
PAVIA/ ITALI
Masakër në familjen shqiptare në Itali, 24-vjeçari vret me thikë kunatën, motrën e saj dhe mbesën 3-vjeçare.
Alfred Mëlyshi, 24 vjeç, dyshohet se ka masakruar mizorisht me thikë kunatën e tij, motrën e saj dhe mbesën 3-vjeçare, ndërsa në përfundim ka tentuar të vetëvritet me të njëjtën armë. Të paktën ky ishte rindërtimi paraprak i ngjarjes nga hetuesit italianë për krimin brenda familjes, ndodhur pasditen e djeshme në banesën ku jetonin emigrantët shqiptarë në Stradella, provinca e Pavias në Itali. Për prokurorët një tjetër pistë e mundshme është edhe ajo e hakmarrjes nga një familje tjetër shqiptare në Itali, me të cilën palët kishin “hesape të vjetra”. Fillimisht dje autoritetet italiane ngritën pistën e grindjes së vjetër mes dy familjeve shqiptare si “burim” të tragjedisë. Por më pas ishte xhaxhai më i vogël i familjes, i cili rrëfeu për masakrën që kishte kryer duke marrë përsipër autorësinë. Teksa ishte nën kujdesin e mjekëve pas plagëve që kishte marrë në trup nga duart e tij, ai ka pranuar krimin duke pohuar: isha unë. Ai ka mohuar që vëllai i tij të ketë vrarë gruan dhe vajzën, siç u pretendua fillimisht nga mediat italiane. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nga ana e autoriteteve italiane nuk ishin zbardhur motivet që kanë çuar 24-vjeçarin në ndërmarrjen e krimit të rëndë.
MASAKRA
Krimi brenda familjes ka kaluar përtej çdo imagjinate dje në Itali, ku 24-vjeçari ka therur tre femra të familjes, mes të cilave edhe mbesën e mitur 3-vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga agjencitë e lajmeve të vendit fqinj, sipas së cilave tre femra ishin gjetur të vrara me thikë brenda banesës së tyre në provincën e Pavias. Referuar mediave italiane, viktimat janë Rina Mëlyshi, 24 vjeçe, vajza e saj 3-vjeçare Klaudia dhe motra e Mëlyshit, Ornela Ndoj, 19 vjeçe. “Autori i ngjarjes mund të jetë xhaxhai i vogëlushes 3-vjeçare. I ka marrë jetën të triave me një thikë dhe më pas ka tentuar të vetëvritet me të njëjtën armë. Karabinierët e Stadellas janë duke verifikuar pozicionin e Alfred Mëlyshit, 24 vjeç, vëllai i babait të fëmijës së vrarë, i cili duket se e ka pranuar tashmë autorësinë. Ai u gjet i plagosur pranë banesës ku ndodhi ngjarja dhe tashmë është në spital. Ndërsa babai i të miturës, Anton Mëlyshi, 30 vjeç, ishte jashtë banesës me fëmijën tjetër të familjes dhe tani është nën efektin e qetësuesve për shkak të tronditjes që ka marrë pas mësimit të ngjarjes”, citonte dje “Corriere della Sera” në faqen e saj zyrtare në internet. Bëhet e ditur se Mëlyshi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi kur tentoi të vetëvritej ka dëmtuar mushkërinë e tij. Banesa e shqiptarëve ishte “vizituar” edhe herë të tjera nga forcat italiane të rendit. Kjo për shkak të disa precedentëve të krijuar edhe më parë si rrjedhojë e një konflikti që familja kishte me një tjetër grup shqiptarësh në Itali. Hera e fundit që policia kishte mbërritur aty ishte mbrëmjen e të mërkurës, kur drejt banesës së familjes Mëlyshi ishte qëlluar me armë, në një kohë që të gjithë anëtarët e familjes, përfshi të miturën 3-vjeçare, ndodheshin në shtëpi. Ngjarja e djeshme ka tronditur opinionin publik në vendin fqinj dhe është përcjellë me bujë në të gjitha organet mediatike. ar.ba
Mediat italiane aluduan për hakmarrje dhe krim në familje
ITALI – Fillimisht mediat italiane publikuan dje si motiv të ngjarjes hakmarrjen mes familjes së viktimave dhe një tjetër familjeje shqiptare në Itali. Me disa prej anëtarëve të familjes “kundërshtar”, familja Mëlyshi kishte pasur disa episode përplasjesh, deri në përplasje me armë, ndërsa më i fundit kishte qenë ai i së mërkurës. Burimet mediatike italiane citonin dje se, ndërsa policia mori njoftimin për ngjarjen e rëndë, e dinte të saktë adresën e familjes Mëlyshi. Katër plumba pistolete të qëlluara drejt dritares së një pallati të vogël u dëgjuan nga gjithkush të mërkurën në rrugën Buozzi, në periferinë lindore të Stradella-s. Sipas policisë italiane gjithçka erdhi nga sherret e vazhdueshme mes dy familjeve shqiptare që zgjasin prej muajsh. Për këtë episod “lufte urbane” dy burra janë identifikuar dhe denoncuar për të shtëna në ambiente publike. Bëhet fjalë për dy të rinj shqiptarë me dokumente të rregullta në Itali, G.P., 26 vjeç, dhe A.G., 31 vjeç, të dy banorë në Stradella. Sipas rindërtimit të ngjarjes nga karabinierët, gjithçka ka ndodhur rreth orës 21:30, kur qetësia e rrugës u ndërpre nga katër a pesë plumba pistolete të qëlluara nga rruga kundrejt një pallati me tre kate. Plumbat ishin drejtuar nga dritarja e ballkonit e një apartamenti në katin e dytë, ky banonte një familje shqiptare me katër persona: një çift i ri, një vajzë 4 vjeçe dhe vëllai i kryefamiljarit A.M., 24 vjeç. Të gjithë kanë mbetur pa plagë. Sipas policisë, në ngjarje ishin përfshirë pesë persona: tre kanë qëndruar në makinë, dy të tjerët (të identifikuar më vonë) kanë qëlluar. Banorët kanë denoncuar në polici dhe më pas u zbulua se bëhej fjalë për sherre të vjetra, të cilat janë pasuar me shumë denoncime për armëmbajtje pa leje e me sekuestrime shufrash e thikash. Autorët gjithnjë të njëjtë, anëtarë të të dy familjeve kundërshtare. Pasi u identifikuan ata që qëlluan u bë kontrolli në shtëpinë e tyre, por nuk u gjet asnjë shenjë e pistoletave. Ndërkohë vazhdojnë hetimet për të identifikuar pjesën tjetër të grupit. Mes episodeve më të dhunshme të dy familjeve mund të përmendet një grindje e ashpër në parkun publik më 21 mars, kur A.M. përfundoi në spital dhe qëndroi i shtruar për 15 ditë. Pak ditë më pas një i ri i identifikuar hodhi një pistoletë në parkun publik, me fishek në gojë. Më pas pati një sherr në stacionin e qendrës më 12 maj, ku një nga dy protagonistët u kap me shufra. Më pas një sherr gjatë parkimit në rrugën 99 Ostaggi, më 14 korrik.
Precedenti në Reggio Emilia,shqiptari bëri masakër në gjykatë
ITALI / REGGIO EMILIA – Çlirim Fejzo, 40 vjeç, emigrant shqiptar prej disa vitesh në Itali, pak muaj më parë tronditi opinionin vendas pasi qëlloi me pistoletë ndaj bashkëshortes 37-vjeçare Vjosa, kunatës së vet dhe avokatit të tyre gjatë procesit të divorcit. Pasi kishte dështuar në tentativën për t’u rilidhur me bashkëshorten ai qëlloi me pistoletë ndaj saj, në prani të dy vajzave të tij të mitura. Plumbat veç bashkëshortes kapën edhe motrën e saj si dhe avokaten e tyre. Pas kësaj ai tentoi të largohej me vrap, por qe e pamundur të shpëtonte, pasi u qëllua nga policia në ikje e sipër. Atëherë u bë e ditur se Fejzo qëlloi edhe mbi policët që tentuan ta ndalonin. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit ai vdiq në moment, pasi mori shumë plumba në organet jetësore. Ndërsa bashkëshortja u përcoll në gjendje të rëndë në spital, por nuk mundi të mbijetonte edhe pasi iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale të vështirë. Një ditë më pas ajo vdiq në spital pasi nuk mundi të mbijetonte, ndërsa trupat e pajetë të saj dhe ish-bashkëshortit u përcollën më vonë në vendlindje, ku iu kryen ceremonitë mortore. f.m.