Bllokohen 200 kg marijuanë Lazarati, fshihen korrierët
GJIROKASTER/ PIRO NASE
Policia e Gjirokastrës sekuestroi dje 200 kilogramë marijuanë në afërsi të fshatit Lazarat. Operacioni i zhvilluar edhe me ndihmën e krimeve të rënda të Tiranës u zhvillua rreth orës 05:30 të mëngjesit.
Pas një sinjali të siguruar në rrugë operative, blutë u nisën drejt fshatit famëkeq për kultivimin e drogës, pasi informacioni bënte fjalë se në periferi të Lazaratit poseduesit do të këmbenin lëndën me paratë. Por rreth 15 minuta para se policia të mbërrinte në vendin ku ndodhej lënda narkotike, tre poseduesit e saj, të identifikuar si banorë të Lazaratit, kanë mundur të largohen në kohë, duke i shpëtuar arrestimit. Policisë nuk i mbeti gjë tjetër veçse të sekuestrojë marijuanën, e cila pasi u peshua rezultoi të jetë rreth 200 kilogramë, ndërsa personat e dyshuar u shpallën në kërkim. Për të evituar ndonjë incident të mundshëm, policia nuk u fut në Lazarat, ku strehohen momentalisht tre të kërkuarit, emrat e të cilëve për efekt të hetimit nuk u bënë të ditur. “Poseduesit e 200 kg marijuanë, ishin larguar 15 minuta para se të mbërrinin forcat e rendit. Kjo u vërtetua nga bishtat e cigareve të lëna në zonën ku u gjend sasia e drogës”, bënë të ditur burime që morën pjesë në këtë operacion. Mësohet se blutë kanë ndjekur hap pas hapi në distancë veprimet e shitësve dhe blerësve të drogës. Sipas burimeve, në vendngjarje, tre lazaratasit ishin në pritje të mbërritjes së një furgoni të bardhë me targa të huaja, i cili do të merrte sasinë e drogës kundrejt shkëmbimit të saj me vlerën monetare të ofruar. Terreni ku ishte zgjedhur të bëhej këmbimi ishte një zonë me krateret që kanë mbetur si pasojë e shfrytëzimit të inerteve, ku rrallë kalojnë automjete të vogla dhe kalimtarë. Poseduesit e lëndës narkotike dyshohet se janë sinjalizuar nga ndonjë telefonatë që të largoheshin nga vendi ku ndodheshin. Ata kanë mundur të futen me shpejtësi drejt Lazaratit bashkë me dy mjetet. Sasia e marijuanës ishte e paketuar në thasë të zinj si dhe në një çantë sportive në pritje për t’u transportuar.