E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, shtyhet me 1 muaj procesi ndaj Berluskonit

ITALI- Është shtyrë me një muaj procesi gjyqësor kundër kryeministrit Italian Silvio Berluskoni, ku ai akuzohet se i ka dhënë rryshfet avokatit britanik Devid Mills, në këmbim të dëshmisë së tij false për të mbrojtur interesat e bizneseve të kreut të qeverisë. Berluskoni evitoi kamerat dhe gazetarët dhe ndryshe nga herët e tjera hyrja ashtu si dhe dalja nga gjykata u bë nga dera e mbrapme e ndërtesës dhe pa bujë, për të evituar mediat dhe një grup të vogël protestuesish të mbledhur para gjykatës. Sic raportojnë mediat italiane, brenda në sallë, sipërmarrësi napolitan Diego Attanasio, dëshmitar në cështjen Mills, shpjegoi se nuk i ka dhënë kurrë 600 mijë dollarë avokatit anglez. Ai tha se as nuk i ka dhuruar dhe as dhënë hua një shumë të tillë, duke konfirmuar kështu versionin e dhënë në procesin kundër Mills, por duke hedhur poshtë nga ana tjetër tezën e mbrojtjes së avokatit anglez që pretendonte se këto 600 mijë dale që janë në qendër të procesit, iu dhanë Mills që ai ti investonte.

Por sipas akuzës, këto 600 mijë dollarë i janë dhënë avokatit nga Berluskoni si shpërblim për korruptimin e tij. Procesi do të rinisë në 18 korrik me të tjera dëshmi në një videokonferencë nga Zvicra. Paraqitja e sotme e Berluskonit në sallën e gjyqit ishte e para që pas referendumit ku shumica dërrmuese e zgjedhësve italianë votuan mes të tjerash për heqjen e imunitetit të tij ligjor.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›