Itali, vdes shqiptari nga korrenti
ITALI - Tentativa për të vjedhur në një kabinë elektrike i ka kushtuar jetën një emigranti shqiptar në Itali. Kontakti me tensionin e lartë i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ramazan Bushi, 35 vjeç, ka ndërruar jetë mëngjesin e djeshëm kur ka hyrë në një kabinë elektrike dhe aty është përplasur për vdekje nga tensioni i lartë. Ngjarja ka ndodhur në Kumano, në qytetin e Komos, Itali. Alarmi është dhënë nga një mik i viktimës, i cili ka thirrur ndihmën e shpejtë po gjithçka ka qenë e kotë pasi ai kishte ndërruar jetë, para se të shkonte ambulanca. Sipas mediave italiane, të cilat i referohen policisë vendase, Bushi është goditur nga tensioni i lartë, 15 mijë voltë dhe ndihma mjekësore ka qenë e kotë për të. Ndërkohë që energjia elektrike ishte ndërprerë në këtë moment në periferi të qytetit të Komos. Sipas hetimeve të para të policisë së shtetit fqinj, Bushi kishte hyrë së bashku me mikun e tij për të vjedhur tela dhe materiale të tjera që ndodheshin në kabinën elektrike. Pasi ka hyrë në kabinë, ai fillimisht ka qenë në zonën pa rrezik, por më pas duke mos ditur gjë dhe duke u ndikuar edhe nga errësira, është futur në zonën e rrezikshme ku dhe ka humbur jetën. Ramazan Bushi kishte hapur një kapak dhe kishte prekur kabujt e korrentit, duke gjetur dhe vdekjen, nga goditja e tensionit të lartë, prej 15 mijë voltësh. Mësohet se është shoqëruar në polici miku i viktimës.