Pronat e myslimanëve, Rysheku akuza KMSH-së
Saimir Rysheku, nënkryetari i shkarkuar i Komunitetit Mysliman Shqiptar, “sulmoi” dje nëpërmjet një konference për shtyp kreun e këtij institucioni, si shkaktar të kaosit dhe problemeve të shumta që po kalon KMSH. Duke argumentuar se sipas statutit të këtij institucioni, shkarkimi i tij mund të kryhej vetëm nga Këshilli i Përgjithshëm Drejtues i KMSH-së, Rysheku tha: “Më lejoni që përmes kësaj deklarate, të ftoj të gjithë anëtarët e Këshillit, që janë të zgjedhurit e besimtarëve, të cilët janë edhe pronarët e vërtetë të institucioneve, të ngrihen në nivelin e përgjegjësisë, morale, fetare dhe institucionale, për të ruajtur integritetin dhe personalitetin e tyre, e duke zbatuar të vërtetën dhe vetëm të vërtetën në vendimmarrje”. Më tej, ai pohoi se personalisht, do të ndërmerrte çdo hap ligjor, që do të ndihmonte demokratizimin e KMSH-së, që ky institucion, të kthehet në një drejtues të vërtetë të jetës së myslimanëve, një detyrim të cilit kryetari aktual ka kohë që i është shmangur. “Në këtë kuadër, dua të bëjë të ditur, se shumë shpejt, do të depozitoj ne organet e drejtësisë kërkesëpadinë për rishikimin e statusit me të cilin kërkon të operojë inxhinier Selim Muça, i cili në momentin aktual e ka kthyer Komunitetin në pronë të kryetarit, duke e shkëputur atë nga jeta e besimtarëve dhe nga përfaqësimi i tyre”, pohoi Rysheku. Duke treguar arsyet e vërteta të shkarkimit Rysheku, i cili në fakt ka bërë rotacion me drejtorin e arsimit të KMSH-së, tha: “Zëri im ka qenë kundërshtues ndaj rasteve abuzuese të shitjes dhe tjetërsimit të pronave. Mjafton të përmendim këtu rastin e shitjes së truallit në qendër të kryeqytetit, duke e konsideruar atë si një veprim absurd dhe me prapavijë korruptive. Këto shkelje janë dëshmi më e gjallë, që kryetari Selim Muça po e zhyt çdo ditë dhe më shumë këtë institucion drejt dekadencës. Nuk jam sot këtu për të mbrojtur thjesht pozitën time. Pozicioni im është shumë pak i rëndësishëm përballë shkeljes që i bëhet statutit, e cila cenon rëndë mbarëvajtjen dhe funksionimin e KMSH-së si një institucion përfaqësues i myslimanëve në Republikën e Shqipërisë, si dhe parimet e shtetit të së drejtës. Dua të denoncoj në këtë rast, se shkeljet e përsëritura statutore prej disa kohësh kanë shkaktuar mos funksionimin e KMSH-së në të gjitha nivelet e përfaqësimit të tij. Me këto qëndrime Muça ka anatemuar kompetencat e Këshillit si organi më i lartë vendimmarrës, që i jep legjitimitet personalitetit juridik të KMSH-së”, përfundoi Rysheku. fa.ma