Të rishikohet ligji për hidrokarburet
Importuesit janë shprehur pro vendimit të Ministrisë së Energjetikës, për të kontrolluar imtësisht tregun e karburanteve. Vetëm pak ditë më parë zyrtarë të lartë të kësaj ministrie deklaruan se konsumatorët kanë probleme me cilësinë e karburanteve që tregtohet në vend. Sipas tyre, kjo ka ardhur si pasojë e keq funksionimit të Inspektoratit Qendror Teknik, i cili ka për detyrë ta mbikëqyrë tregun. Në një situatë të tillë ministria ka kërkuar monitorim të rreptë dhe masa shtrënguese ndaj abuzuesve. Lidhur me këtë deklaratë të ministrisë, Shoqata e Hidrokarbureve është shprehur pro angazhimit të ministrisë që organet e mbikëqyrjes së tregut të garantojnë cilësinë për konsumatorët përmes sigurisë së produkteve. “Edhe më herët, Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve i ka kërkuar qeverisë dhe enteve në vartësi të saj, të ndërhyjnë në treg, duke krijuar një sistem monitorimi efikas për të gjitha kompanitë e licencuara në këtë treg, duke filluar që nga inspektimi në porte e deri në rafineri, me qëllim garantimin maksimal të sigurisë së tregut dhe domosdoshmërisht edhe të konsumatorëve shqiptarë”, thuhet në një deklaratën për media të shoqatës. Madje sipas tyre tashmë ka ardhur koha që të rishikohet plotësisht ligji “Për hidrokarburet” dhe se nevojitet rregullim i plotë i tregut, sidomos në ndërtimin e stacioneve të shitjes me pakicë të hidrokarbureve si dhe të instalimeve bregdetare. Sipas tyre është i nevojshëm rregullimi ligjor në përputhje me rregullat e standardet e BE, përsa i përket numrit të stacioneve të shitjes me pakicë në raport me numrin e popullsisë, numrin e stacioneve në 100 km2, si dhe mjetet motorike. Tregu i shumicës së naftës për vitin 2008 arriti një vlerë rekord prej afro 77 miliardë lekësh, me një rritje në vlerë prej rreth 40%, në krahasim me vitin 2007. Në total, gjatë vitit të kaluar, u importuan rreth 550 mijë tonë karburante, me një rritje 5% krahasuar me vitin 2007. Në vend funksionojnë rreth 154 kompani të tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve, ndër të cilat 19 janë në listën e kompanive VIP të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve si dhe Doganës rezulton se nga viti në vit, në Shqipëri janë importuar dhe prodhuar më shumë sasi nafte, me një rritje mesatare 5-8%.