E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr për parkimin, 2 persona përplasen me armë në Laprakë

 

TIRANE - Një konflikt për parkimin e makinave është kthyer në përleshje me armë zjarri mes dy të rinjve në kryeqytet. Secili prej tyre, sipas policisë, ka qëlluar nga dy herë, njëri me automatik dhe tjetri me pistoletë. Fatmirësisht plumbat nuk kanë prekur asnjërin prej të rinjve, duke mbyllur ngjarjen pa të lënduar. Incidenti ka ndodhur mëngjesin e dy ditëve më parë në Laprakë të Tiranës. Pasi kanë dëgjuar katër të shtëna armësh, në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbime të policisë së Komisariatit Nr.3, të cilët fillimisht kanë mundur të shoqërojnë njërin prej autorëve, 32-vjeçarin Franc Kaloshi, të cilit i është sekuestruar edhe arma, një automatik tip “Kallashnikov”. Menjëherë pas ndalimit të tij dhe shpjegimit të rrethanave të ngjarjes, policia ka shpallur në kërkim personin e dytë të përfshirë në konflikt, 20-vjeçarin Gëzim Dodaj, i cili është arrestuar mbrëmjen e së shtunës dhe i është sekuestruar edhe një pistoletë. Paraprakisht, nga deklarimet e dëshmitarëve të ngjarjes, u dyshua se ngjarja ndodhi pas një konflikti për vendin e parkimit. Por nuk zgjati shumë dhe u zbulua se konflikti mes Franc Kaloshit dhe Gëzim Dodajt kishte nisur disa ditë më parë, pas një konflikti familjar mes tyre. Burime nga policia thanë se Dodaj i kishte rrahur djalin e mitur Kaloshit dhe nga kjo ngjarje ata kishin nisur një “hasmëri” me njëri-tjetrin, e cila u duk sikur u zgjidh një javë më parë, por është rikthyer sërish të shtunën. Duke qenë se oficerët e policisë kanë konstatuar se sherri në parking ishte i paramenduar nga të dy palët, ngjarja është marrë në hetim nga oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, të cilët kanë vendosur që dy të arrestuarit do të akuzohen për vrasje të mbetur në tentativë. Në vendin e ngjarjes janë fiksuar edhe katër gëzhoja armësh, si dhe janë sekuestruar edhe dy armët që janë përdorur nga të arrestuarit. Burime nga policia thanë se gjatë ditës së djeshme janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje edhe disa nga familjarët e Kaloshit dhe Dodajt, të cilët kanë dëshmuar për konfliktin mes dy familjeve, por duke thënë që gjithçka ishte zgjidhur para ngjarjes së të shtunës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›