Itali, viktimat e tërmetit, Pashkë në natyrë
Zona e tërmetit në Itali, Abruzzo, ka përjetuar një Pashkë të paharruar, duke festuar ditën e paqes nëpër tenda, me gjithë lëkundjet e vazhdueshme sizmike në zonë. Tashmë kërkimi për trupa ka përfunduar dhe numri i viktimave ka arritur në 294. Dje janë kryer ritet e funeralit edhe për katër viktimat e tjera. Një tjetër tërmet ka goditur zonën në orën 16:42, por nuk ishte i fuqishëm dhe nuk ka shkaktuar dëme të tjera në zonën tashmë të rrënuar dhe as viktima. Kryqi i Kuq Italian ka shpërndarë 9 mijë vezë Pashkësh, mes njerëzve të strehuar nëpër tenda. Mesha të hapura janë mbajtur në qytetin italian të L’Aquila-s dhe në fshatrat përreth të goditura nga tërmeti, që shkaktoi vdekjen e afro treqind personave dhe la qindra të tjerë pa shtëpi. Për shërbesat e Pashkëve u improvizuan altarë të krijuara në çast, pasi kishat e dëmtuara nga tërmeti nuk janë të sigurta. Papa Benedikti në mesazhin e tij të Pashkëve, drejtuar një turme të madhe të mbledhur në Vatikan, tha se mendimet e tij ishin me ata që po vuajnë si rezultat i tërmetit. Sipas autoriteteve, sasia e madhe e dëmit ka ngritur pikëpyetje mbi standardet e ndërtimit të banesave. Prokurori i Aquila-s pak ditë më parë hapi hetimin mbi akuzat se standardet jo të mira në ndërtime bënë që të rritej më shumë fuqia dëmtuese e tërmetit.