E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dinamo e mendoi ndeshjen të fituar që në pjesën e parë”

 

Humbja e papritur me Teutën, të shtunën pasdite në “Selman Stërmasi”, duket se i ka shokuar të gjithë në ambientin dinamovit. Trajnerët, futbollistët, drejtuesit, por edhe tifozët e kanë pasur të vështirë të besojnë që Dinamo do të mundej nga Teuta brenda në shtëpi. Një humbje, e cila e ka larguar në një farë mënyre Dinamon nga lufta për titullin kampion (shtatë pikë diferencë me Vllazninë e Tiranën kryesuese), e që tani e bën të nevojshme mbajtjen e vendit të tretë për të qenë pjesëmarrëse në Kupat e Evropës. Për ndihmëstrajnerin e kampionëve, Artan Mërgjyshi, dinamovitët, pas golit të bukur të Poçit në të 38’-ën, duket sikur e menduan ndeshjen të fituar përpara kohe. “Lojtarët e humbën freskinë në pjesën e dytë të lojës, - tha për ‘Panorama’, ndihmëstrajneri i bluve, Artan Mërgjyshi. - Pas golit – vazhdoi më tej ai, – të gjithë lojtarët e menduan takimin të fituar e për rrjedhojë u humb ndeshja përpara kohe”. Duke vazhduar më tutje, Mërgjyshi ka mendimin se Dinamo, më tepër se gjithçka, ka humbur besimin tek ata futbollistë, të cilët kanë luajtur më pak në këtë kampionat. Për hir të së vërtetës duhet pranuar që katër mungesat (Bakaj, Allmuça, Diob, Graniç), duket se kanë qenë esenciale për skuadrën e Dinamos. Në pjesën e dytë ka pasur një hendek të madh mes mbrojtjes dhe mesfushës, në një kohë që sulmi nuk ka funksionuar fare. “Ne e dinim – ka shpjeguar Mërgjyshi, – që Teuta është kundërshtare e vështirë, por nuk e mendonim që ndeshjen do ta humbnim pikërisht në shtëpinë tonë. Ne kemi humbur besimin tek ata futbollistë, të cilët kanë luajtur më pak, edhe sepse duhet të ishte ndeshja e tyre. Aq më tepër që lojtarët më me përvojë të formacionit tonë duhet ta kishin marrë situatën në dorë dhe ta administronin më mirë avantazhin e krijuar. Por mbi të gjitha, kemi humbur vazhdimësinë e rezultateve pozitive, por kjo nuk do të thotë se kampionati ka mbaruar këtu, kur janë edhe gjashtë javë për t’u luajtur”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›