E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot mblidhet asambleja e Tiranës

 

Ashtu siç është paralajmëruar, Tirana do të zhvillojë sot asamblenë e jashtëzakonshme të saj, edhe pse institucioni nga varet klubi, Bashkia e Tiranës, nuk e njeh një nismë të tillë. Në të vërtetë nisma është marrë konform statutit të klubit, sipas të cilit parashikohet që me iniciativën (firmën) e 1/3 së anëtarëve mund të thirret asambleja, pavarësisht se kundër kësaj nisme janë sekretari i klubit dhe bashkia nga ai varet. Asambleja e ka përcaktuar tashmë rendin e ditës dhe gjithçka tjetër lidhet me të. Ajo do t’i zhvillojë punimet e saj sot, në orën 17:00, në “Tirana Internacional”. Mbetet e paqartë se si do të operojë në vazhdim Bashkia e Tiranës, institucioni shtetëror që ka në kompetencë klubin bardheblu. Në rast mosmiratimi prej saj, asambleja mund të konsiderohet e paligjshme, edhe pse thirrja e saj është bërë konform statutit të klubit. Midis grupit nismëtar dhe palëve të tjera ka pasur debate të nxehta ditët e fundit, por një përplasje e tillë mund të sjellë krizë serioze në skuadër, kur mbetet të luhen edhe gjashtë javët më vendimtare të kampionatit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›