E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maks Velo: Një bankë imazhi për të ndërtuar historinë

 

ALMA MILE

Një bankë imazhi për të ndërtuar të shkuarën, por edhe për të mbështetur të ardhmen. Teksa vlerëson ekspozitën e hapur nga koleksionisti grek, Panajotis Koliomihalis, arkitekti dhe piktori, Maks Velo, thotë se është koha që të ngrihet një institut për të mbledhur çdo dëshmi të mundshme që na vjen nga e kaluara. Sipas tij, imazhi, qoftë fotografi, vizatim, apo akuarel, është dëshmia më e sigurt për të ndërtuar historinë plot kundërshti të Shqipërisë.
Këto ditë u ekspozua në Tiranë një koleksion i pasur me kartolina që dëshmonin mbi Shqipërinë e fundshekullit XIX dhe fillimit të shek. XX, si e vlerësoni këtë ngjarje?
Për mua është shumë e rëndësishme, madje është nga ato ekspozita me të papritura. Koleksionisti ka bërë një punë gjigande dhe pjesën më të madhe e ka ende të paekspozuar. Ai ka një motiv të rëndësishëm. Është arvanitas me origjinë dhe e ka amanet nga i ati për të ndihmuar shqiptarët. Dhe ai ka gjetur formën më të çuditshme, të grumbullonte imazhet. Janë 10 mijë imazhe. Duke parë ekspozitën mu ringjall mendimi që më gërryen prej disa kohësh. Lidhet me grumbullimin e imazheve në një bankë të imazhit. Kemi ardhur si shtet nga Perandoria Osmane, pa imazh, pa arkiva fotografish, arkitekture, pikture, për të mos folur për dokumentacionin. Dhe mënyra se si u kapërcyen etapat në shek. XVII-XX, shkaktoi shumë probleme, shkatërrime dhe është e vështirë sot të konceptosh, të ndërtosh imazhin e qyteteve tona dhe aktiviteteve që janë zhvilluar.
Ç’ju bëri përshtypje më shumë në këtë ekspozitë?
Aty kishte shumë fotografi, kartolina e vizatime, që do të na ndihmonin shumë. Kishte shumë foto për Korçën, Elbasanin, Fierin, Durrësin, Tiranën, Shkodrën. Imazhe shumë të rralla si ajo e kishës së Vaut të Dejës, imazhe të pazarit të poçerisë, të gjelave të detit, ka të dhëna mbi urat. Kishte një foto për një urë ndërtuar nga austriakët, e gjitha me konstruksion druri. Foto nga shkollat, pazaret, që kanë qenë më shumë piktorike, mënyra e veshjeve, hane shumë të bukura, shumë të dhëna për Luftën e Parë Botërore. Më bën përshtypje që mes tyre janë edhe katër piktorë, dy italianë, Piffero dhe Lubatti, që kanë nga 10 akuarele. Por kemi edhe katër akuarele të Fadil Pëllumbit të vitit 1940. Si dhe një piktor austrohungarez, Carl Ludvig me 5 akuarele, 2 kompozime dhe 3 peizazhe. Kompozimet janë me shumë vlerë, sepse dëshmojnë për ardhjen e ushtrisë hungareze në Durrës nga deti dhe një kompozim i madh me njerëz dhe ushtarë në pazarin e Durrësit. Është një foto që e kisha dëgjuar, por nuk e dija si ishte. Tregohet një tramvaj i Skelës në Vlorë, dy shina dhe një karrocë me një kalë të bardhë. Këtë imazh e kam kërkuar, ose doja ta konstruktoja me vete për 40 vjet me radhë dhe e pashë vetëm tani. Pra një pasuri e madhe.
Sa i rëndësishëm është imazhi në ndërtimin e historisë?
Sikurse po konstatoj gjatë gjithë jetës, historia jonë është shumë e diskutueshme, me shumë dilema, kundërthënie dhe në këtë rast, ajo që është autentike, pa asnjë deformim është imazhi. Imazhi të jep shumë të dhëna dhe është i vërtetë. Se si ishte ushtria turke, shqiptare, austrohungareze, si ishin klerikët, borgjezët, të varfrit, mënyra e ndërtimit, materialet, si bëheshin rrugët. Është fakt që mbas ’90, sidomos 10 vjetëve të fundit, janë zhvilluar disa ekspozita të rëndësishme në këtë drejtim. Mund t’ju kujtoj atë të hapur nga Instituti Italian i Kulturës, me fotografi nga arkivat e Vienës dhe italiane, mbi ndërtimin e rrugëve, atë të studiuesve francezë mbi fotografët e Korçës, ekspozita e hapur në Gjirokastër me 50 fotografi të ushtarëve italianë gjatë Luftës së Parë Botërore, por kjo është më e madhja.
Atëherë si mund ta shfrytëzojmë këtë pasuri?
Problemi është ky. Nuk ka asnjë institucion shtetëror që t’i grumbullojë këto. Është detyra jonë të grumbullojmë çdo lloj fotoje, vizatimi, akuareli, në mënyrë që të ndërtojmë imazhin tonë. Nuk kam dëgjuar që ato të skanohen, të grumbullohen, të studiohen, klasifikohen dhe të vihen në shërbim të projektuesve, studiuesve sepse ka shumë mundësi që të mos i gjejmë më ku janë. Në rastin konkret, në ekspozitën e koleksionistit grek, nga ana e shtetit duhet t’i merret leje e të merren të gjitha këto fotografi me gjithë informacionin përkatës. Janë foto që i kanë shpëtuar syrit të studiuesit, që duhen marrë dhe duhen vënë në vendin e duhur.
Si mund të zgjidhej ky problem?
I bëj thirrje Ministrisë së Kulturës që të gjejë një zgjidhje. Do të ishte mirë të ishte një institut më vete. Është shumë i vlefshëm arkivi i Marubëve në Shkodër, por është e nevojshme të jetë në Tiranë, ose në Institutin e Etnografisë, ose në Akademinë e Arteve, ose Galerisë Kombëtare. Duhet të jetë një institucion i veçantë që të merret vetëm me grumbullimin e imazhit. Unë shoh foto të rralla në koleksione private, apo në shtëpitë e njerëzve të ndryshëm dhe asnjë njeri nuk i grumbullon. Dhe për ne që nuk kemi asnjë plan rregullues, është i domosdoshëm. Vizat e para i hodhën austriakët në vitin 1914, ndërsa më parë nuk kishte asnjë plan. Ndërtimet e para janë bërë nga mjeshtërit popullorë, të cilët punonin me intuitë, por nuk kemi asnjë dokument mbi to.
Po si mund të na shërbejnë këto imazhe edhe për të ardhmen?
E ardhmja vlerësohet me kapacitetet e së tashmes. Është e çuditshme që popujt që janë më të kulturuar i ruajnë më tepër materialet dokumentare. Në Paris ka disa qendra të mëdha që merren me koleksionimin e imazhit dhe nuk lënë t’i shpëtojë asgjë. Sepse në momentin që duket i parëndësishëm, ai i hyn dikujt në punë, në mënyrën e jetesës, të ndërtimit të rrugëve, banesave, sistemit arsimor, bujqësor, të gjelbërimit, etj. Ato duhet të jenë për t’ua lënë të tjerëve më pas dhe për t’u studiuar nga specialistë. Imazhi është i paçmuar kur do të ndërtosh maketin e një qendre qyteti, të një pazari, të ndërtosh si ka qenë, ose të rikonstruktosh një kishë. Ne nuk kemi ruajtur asgjë nga 500 vjet dhe kaluam në kohë moderne pa asnjë dëshmi. Por, mund të ndërtojmë edhe një listë të fotografëve që i kanë bërë, duke riparë historinë e fotografisë.
Keni ndonjë rast konkret, kur e keni ndierë këtë mungesë?
Sigurisht. E vuaj faktin që nuk kemi një histori të saktë. Edhe këto ditë është diskutuar që në tekstet e historisë, faktet interpretohen në mënyra të ndryshme. Kur shkon në Paris i ke aty të gjitha epokat, ke të vjetrën dhe të renë, ruhet çdo gjë dhe i prek me dorë. Këtu nuk prek dot asgjë, sepse ne i kemi prishur të gjitha. Në rastin e mungesës së objektit, të paktën të kemi ndonjë imazh se si kanë qenë qytetet tona. Korça ka pasur objekte ndër më të bukurat, si kisha e “Shën Gjergjit”, banka, mitropolia, xhamia, prefektura, bashkia, disa prej të cilave nuk ekzistojnë më. Këto ditë po bëhet konkursi ndërkombëtar urbanistik për qendrën e Korçës. Këto imazhe duhet t’u ofrohen arkitektëve, që ata të shikonin se si ka qenë kjo qendër në zhvillimin historik. Aq më tepër të huajve, që nuk e njohin qytetin. Në këtë mënyrë mund të operosh në shumë qytete të tjera si Shkodra, Durrësi.. Por edhe për të parë se si ka evoluar arkitektura, ndërtimi, etj. Pa folur për imazhet që dëshmojnë kostumet, mënyrën e jetesës, marrëdhënieve njerëzore, marrëdhëniet me gruan, me fëmijët, si ishin pikat portale, pra një histori e tërë e Shqipërisë në imazh, që për mendimin tim, duhet të dokumentohet e gjitha.

Ekspozita
“Shqipëria nga viti 1892 deri më sot” quhej ekspozita e prezantuar në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, si një koleksion i pasur dhe i rrallë i Dr. Panajotis Koliomihalis, me origjinë të hershme shqiptare, që jeton në Greqi. Pasi kanë udhëtuar në 15 vende të ndryshme të botës, 3200 kartolinat shqiptare arritën dhe në vendin e tyre të origjinës, falë mbështetjes së Ambasadorit shqiptar në Greqi, Vili Minarollit. Ekspozita sillte fotografi dhe pamje të rralla nga disa qytete të Shqipërisë, nga Tirana, Shkodra, Vlora, Durrësi, etj, të realizuara nga fotografë shqiptarë e të huaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›