E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makinat e policisë mbesin pa karburant

 

BURREL - Mungon karburanti për mjetet e policisë në rrethin e Matit. Lajmi bëhet i ditur nga burime të rezervuara pranë Drejtorisë së Policisë të Qarkut Dibër. Për ditë me radhë makina e grupit të gatshëm të policisë së Burrelit është parkuar përgjatë gjithë ditës në qendër të qytetit, pak metra larg godinës së Sigurimeve Shoqërore të këtij rrethi. Punonjës të policisë lokale nuk kanë pranuar të tregojnë të vërtetën pse mjeti i policisë kishte gjetur si vend parkim vetëm qendrën e qytetit. Në qytet ishte përhapur lajmi se policia ishte instaluar përballë afër bashkisë së qytetit për të parandaluar ndonjë krim të mundshëm. Ndërkohë dje u mësua lajmi se ata pak punonjës të grupit të gatshëm, shoferi dhe dy punonjës të policisë, qëndronin në të njëjtin vend, pra në qendër të qytetit për dy arsye: e para se nuk ka karburant të mjaftueshëm për mjetet e policisë dhe së dyti, ata duhet të ishin sa më afër qendrës së qytetit për të lëvizur në kohë rekord për në vendngjarje. Veç mungesës së karburantit mjetet e policisë në të tre rrethet e Qarkut Dibër janë tejet të amortizuara. Në asnjë rast këto mjete nuk arrijnë të ndjekin mjetet e kontingjenteve të policisë. Janë të shumta rastet kur policia mbërrin me vonesë në vendin e ngjarjes. Herë mjetet nuk janë furnizuar me karburant e herë të tjera ato nuk lëvizin për shkak të amortizimit që kanë. Ndërkohë, burime jo zyrtare thonë se mungesa e karburantit lidhet me kursimin e karburantit për fushatën elektorale që afron, pasi ato duhet të sigurojnë rend e qetësi në të gjitha takimet politike të subjekteve politike. Është hera e parë që mjetet e policisë së Burrelit nuk kanë karburant për të qarkulluar normalisht. Lajmi është mbajtur sekret nga policia e Matit, por ai konfirmohet nga burime të rezervuara pranë Drejtorisë së Policisë Qarkut Dibër.  h.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›