E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali votebesohet Berluskoni. Te perkushtuar ne balancimin e buxhetit

Kryeministri italian Silvio Berluskoni fitoi votëbesimin në parlament që konsiderohet kyc për vazhdimësinë e punës së Qeverisë në një kohë që Italia kërkon të vazhdojë përpara me reformat e kursimit. Votimi erdhi si rrjedhojë e moskalimit në parlament të një neni të projektbuxhetit, vetëm për mungesë të një vote.

Më vonë, të dhënat treguan se kjo votë i përkiste ministrit të Financave që nuk arriti të shtypte butonin brenda kohës së lejuar. Gjithsesi, Kryeministri Berluskoni arriti të marrë sërish besimin e parlamentarëve, pasi 316 votuan pro dhe 301 kundër.

Më herët, ndërsa ftonte deputetët të votonin qeverinë e tij, Kryeministri
theksoi se qeveria e tij e qendrës është e unifikuar dhe Italia mbetet e përkushtuar në balancimin e buxhetit deri në vitin 2013.

“Të gjithë atyre që na kërkojmë të ndërmarrim një hap pas, ne u përgjigjemi kështu: Ne kurrë dhe vecanërisht në këto momente, do përulemi përpara kësaj kërkese. Jo sepse dëshirojmë të ruajmë pushtetin por pasi kemi bindjen se asnjë qeveri alternative apo zgjedhjet e parakohshme do të jenë zgjidhje për të gjitha problemet që kemi”- tha Berluskoni.

Opozita nuk ishte e pranishme në parlament në momentin e fjalimit të Kryeministrit. Italia miratoi muajin e kaluar një paketë kursimi për të balancuar shifrat e buxhetit. Drejtuesit e Bankës Qendrore gjatë javës i bënë thirrje Qeverisë për të ndërmarrë më shumë masa në mënyrë që të stimulohet rritja ekonomike.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›