Itali, vritet me 3 plumba kamerieri shqiptar
SIENA/ITALI-Një 27-vjeçar shqiptar, i punësuar si kamerier në një lokal në Siena të Italisë, ka mbetur i vrarë mbrëmjen e së dielës, me 3 plumba, nga persona ende të panjohur. Ngjarja ka ndodhur pak minuta para mesnatës së të dielës, teksa i riu shqiptar sapo ishte kthyer nga puna dhe po parkonte makinën, para pallatit ku banonte. Persona ende të panjohur i janë afruar me një minifurgon, tip "Peugeot 508", e cila më pas është gjetur e djegur pranë varrezave të Sienas. Lame është goditur një herë në kokë dhe 2 herë në gjoks, pa zbritur ende nga makina, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe 3 gëzhoja të tjera, që dyshohet të jenë pistolete. Teksa i vëllai ka dëgjuar krismat e armës dhe ka zbritur për të parë situatën, fqinjët kanë lajmëruar policinë, por autorët sipas dëshmitarëve janë larguar me automjetin e tyre me një shpejtësi shumë të madhe. Lame kishte ende shenja jetë edhe pse ishte qëlluar 3 herë, por me të mbërritur në spital ka ndërruar jetë. Paraprakisht policia italiane po heton në lidhje me një hakmarrje të mundshme, për të cilën mund të jetë kryer vrasja e Lorenc Lames. Sipas mediave italiane, të cilat i referohen burimeve të policisë, autorët e vrasjes ka shumë mundësi që të kenë ngatërruar objektivin e tyre. Duke dashur të vrisnin të vëllain, një ish-i burgosur 10 vite më parë për një vrasje në Shqipëri, kanë vrarë 27-vjeçarin, i cili prej një viti jetonte dhe punonte në Itali me dokumente të rregullta. Lorenc Lame jetonte me të vëllain dhe kunatën në një apartament në lagjen Isola Scalo, të Sienas. Pasi ka marrë në pyetje më shumë se 20 persona, fqinjë dhe miq të viktimës, policia ka deklaruar se një mik i vjetër i Lorenc Lames, ka dhënë një dëshmi mjaft të vlefshme për ngjarjen, në formën e një hipoteze, por që mund të jetë edhe version zyrtar. Sipas mikut të 27-vjeçarit, autorët e kanë ngatërruar atë me të vëllain. Gjithçka mund të jetë kryer për hakmarrje, pasi i vëllai i Lames 10 vite më parë ka kryer një vrasje në Shqipëri, por është liruar nga burgu pas një amnistie dhe ka emigruar në Itali.