E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tahiri: Berisha po kap SHISH



Aristir Lumezi

Partia Socialiste e cilësoi dje SHISH-in, sipas projektligjit të përgatitur nga Qeveria, si mjet dhune e represioni për interesat e saj politike. Deputeti socialist Sajmir Tahiri, duke iu referuar procesverbalit të mbledhjes së Komisionit Parlamentar të Ligjeve, botuar në gazetën "Panorama" dy ditë më parë, tha se "maxhoranca ka miratuar në fshehtësi të plotë projektligjin e SHISH. Për këtë PS i kërkoi Kryeministrit të dënojë fajtorët si dhe i bëri thirrje të kërkojë falje për shkeljet që bën". "I bëjmë thirrje maxhorancës, e veçanërisht Kryeministrit, të deklarojë pa asnjë ekuivok tërheqjen pa kushte nga ndryshimet e propozuar për ligjin e SHISH; të shkarkojë Kryetarin e Komisionit të Ligjeve; të anulojë pasojat (miratimi i p/ligjit për SHISH) që ka sjellë mbledhja e fshehtë komisionit në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit (Neni 35), si dhe; të kërkojë ndjesë publike ndaj opozitës, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë", u shpreh Tahiri. Deputeti socialist tha se ky veprim është një akt i rëndë që vë në dyshim të fortë, vullnetin e maxhorancës dhe Kryeministrit për të zgjidhur kolapsin politik në vend, duke kërcënuar tryezën e dialogut. "Në një mbledhje sekrete, larg vëmendjes së opinionit publik, duke shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit (Neni 35), është mbledhur në fshehtësi të plotë Komisioni Parlamentar i Ligjeve dhe ka miratuar projekt ligjin e SHISH, duke shpërfillur thirrjet e Partisë Socialiste, apelin e shoqërisë civile, e madje duke shpërfillur edhe kërkesat e ndërkombëtarëve që më shumë se një herë i bënë thirrje maxhorancës të ndalet", u shpreh Tahiri.
Deputeti socialist tha se PS disponon proces verbalin sekret prej 11 faqesh, që pasqyron mbledhjen dhe miratimin e p/ligjit të SHISH. "Në këtë procesverbal, janë rekordet e mbledhjes sekrete në Komisionin e Ligjeve, ku nëpërmjet një debati mediokër e fare formal, deputetët e maxhorancës së bashku me të dërguarin personal të Kryeministrit, materializojnë vullnetin e Sali Berishës për të kapur SHISH e për ta përdorur politikisht atë, siç ka bërë edhe në të shkuarën", shtoi ai. Tahiri sulmoi si fajtore për këtë çështje dhe kryetaren e Kuvendit që sipas tij lejoi këto tryeza. "Përgjegjësi të drejtpërdrejtë mban Kryetarja e Parlamentit, e cila pse ka lejuar me vullnet të plotë apo pse ka lejuar pa dashje, që nën hundën e saj të zhvillohen mbledhje sekrete, në Kuvendin e Shqipërisë nga deputetë të paguar nga taksat e qytetarëve, të japë dorëheqjen e menjëhershme". Duke cilësuar këtë miratim si metoda fashiste, Tahiri theksoi se kjo të bën të dyshosh më shumë se kurrë se Berisha po synon të rikthejë SHIK-un famëkeq si institucion dhune e represioni për interesat e tij politike. Tre javë më parë, në një mbledhje të komisionit parlamentar të ligjeve, pa praninë e gazetarëve, pas diskutimeve mes deputetëve të maxhorancës, u kaluan pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, të gjitha amendamentet e propozuara nga Këshilli i Ministrave dhe disa të propozuar nga vetë SHISH-i.
Por procesverbali i mbledhjes që u botua nga "Panorama" u mbajt i fshehtë bashkë me mbledhjen dhe nuk u publikua në faqen zyrtare të Kuvendit.

“Siguria”, projektligji i SHISH mund t'i kushtojë tre javë kohë
Komisioni parlamentar i Sigurisë pritet të shqyrtojë projektligjin "Për Shërbimin Informativ të Shtetit", me disa seanca të posaçme. Sipas burimeve mësohet se, komisioni do të zhvillojë disa takime të ndryshme deri në miratimin e këtij drafti kaq të debatueshëm ndërmjet maxhorancës dhe opozitës dhe të kritikueshëm nga ana e ndërkombëtarëve. Ndërkohë që burime zyrtare nuk përjashtojnë seancat dëgjimore me kreun e SHISH, pasi komisioni parlamentar i Sigurisë është edhe autoriteti përgjegjës për miratimin e këtij drafti. Diskutimet mbi këtë ligj priten të zgjasin dhe për tri javë. Demokratët nuk do të nxitohen në miratimin e projektligji, nisur dhe nga reagimet e shumta që ka pasur nga ana e ndërkombëtarëve për nismën më të fundit të Qeverisë, që prek institucionin e shërbimin sekret në Shqipëri. Drafti i ri i Qeverisë solli gjithashtu edhe reagimet e ndërkombëtarëve, të cilët hodhën dyshime për nismën. Në një prononcim, Ambasadori i delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmut Lohan theksoi se gjatë përgatitjes së opinionit për kërkesën e Shqipërisë për anëtarësimin në BE, Brukseli zyrtar do të shohë me kujdes edhe çështjet e kompetencave të institucioneve të pavarura. Nga ana tjetër edhe Uashingtoni i kërkon Qeverisë që të bëjë kujdes në miratimin e ndryshimeve në ligjin për SHISH. "Lidhur me projektligjin për Shërbimin Informativ, është një çështje me rëndësi që meriton të shqyrtohet me kujdes dhe durim. Shqyrtimi duhet të marrë parasysh aspiratat euroatlantike të Shqipërisë dhe detyrimet e saj si një aleat i NATO-s", tha zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›