Zhduket hajduti i liruar nga Shërbimi i Provës
TIRANE - Humbet Toptan Domi, adoleshenti kryeqytetas, i dënuar disa herë për vjedhje, i liruar pak kohë më parë nga Shërbimi i Provës. Lajmin për zhdukjen e të birit 19- vjeçar e ka dhënë i ati i tij A. Domi, i cili ka denoncuar zhdukjen e djalit në Prokurorinë e kryeqytetit dhe komisariatin nr. 3 të policisë. Sipas të atit, i biri 19- vjeçar ishte liruar nga burgu me një vendim gjyqësor, edhe pse kishte për të vuajtur edhe 7 muaj dënim, pasi ky kishte bindur shërbimin e provës se djali do vetëpunësohej. Pas kësaj, Domi ka fituar lirinë në muajin korrik të vitit të kaluar, ndërsa gjatë kësaj kohe ka bërë punë të ndryshme së bashku me një shok të vetin. Por gjashtë ditë më parë, adoleshenti ishte larguar nga banesa së bashku me një shok të vetin me motoçikletën e këtij të fundit, ndërsa nuk ishte kthyer më. Nisur nga ky fakt, i ati i Domit iu drejtua policisë dhe prokurorisë për gjetjen e të birit. Domi rezulton se pjesën më të madhe të kohës së pesë viteve të fundit ta ketë kaluar në qeli, pasi është arrestuar në flagrancë për dhjetëra vjedhje të kryera në Tiranë dhe rrethinat e saj. Duke përfituar nga mungesa e njerëzve nëpër banesa të ndryshme, ai së bashku me disa bashkëmoshatarë të tij hynte në to dhe vidhte të hollat dhe sendet me vlerë që gjente aty. Po kështu ai është gjetur fajtor dhe është dënuar edhe për disa vjedhje mjetesh apo kasetofonë dhe sende të tjera që gjente nëpër automjete të ndryshme. fa.ma.