Meta: Serbia të respektojë të drejtat e shqiptarëve në Preshevë
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta shprehet se gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd do të kërkojnë respektimin e të drejtave të shqiptarëve të komunave në Luginën e Preshevës. Kryediplomati shqiptar i bëri këto komente pas takimit që pati dje në Tiranë me përfaqësuesit e këtyre komunave. Meta rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Qeverisë shqiptare për shqetësimet dhe kërkesat e ligjshme të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Meta tha se "një çështje e rëndësishme në marrëdhëniet midis dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Serbisë, ka qenë dhe do të jetë avancimi i të drejtave të komunitetit shqiptar që jeton në Luginën e Preshevës". "Ne dëshirojmë të gjejmë një mirëkuptim në rritje, pasi Lugina e Preshevës duhet të jetë një burim stabiliteti për gjithë rajonin tonë, por njëkohësisht duhet të jetë edhe një burim mirëqenieje dhe perspektive për të gjithë banorët e saj e në veçanti për gjithë shqiptarët, të cilët për arsye të regjimeve të mëparshme në Serbi kanë ndjerë një diskriminim të papranueshëm që ne besojmë se do të mbetet prapa, pasi Qeveria aktuale dhe Presidenti i Serbisë janë angazhuar për Integrimin Evropian të këtij vendi. Në këtë drejtim, ne besojmë se ata do të angazhohen edhe për të përmirësuar të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës", tha Meta. Ndërsa Riza Halimi, deputet shqiptar në Parlamentin serb, deklaroi se "ne presim edhe nga vizita që besoj do ta kemi në nivelin më të lartë dhe në Beograd po dhe të përfaqësuesve më të lartë të Serbisë në Tiranë, që të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të avancohen të zgjidhen problemet e ndjeshme ekonomike, sociopolitike, në arsim".