E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhje e trishtuar

Mentor Nazarko

Ardhja e delegacionit të nivelit të lartë të Këshillit të Europës shënon hyrjen e krizës politike dhe institucionale shqiptare në një moment kyç, në një moment të ndryshëm cilësor të saj, dhe me shumë gjasa më afër zgjidhjes së saj.
Ky moment shënohet për shkak të nivelit të lartë të përfaqësimit-kreu i Ansamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, institucioni europian që përmbledh si shtetet anëtare të BE, si edhe ato që më së shumti aspirojnë të anëtarësohen. Por jo vetëm:kjo pjesëmarrje e nivelit të lartë nuk është e tipit faktmbledhës, apo rutinor. Ajo vjen me mision të qartë, të ruajë rolin e ndërmjetësuesit në zgjidhjen e krizës dhe me shumë gjasa nëse do të zgjidhet ajo, atëherë do të marrë dhe dafinat e fitores. Ky duket një skenar i paracaktuar i bashkësisë ndërkombëtare, duke nënkuptuar këtu, atë konvencion të përftuar prej "koncertit", apo mirëkuptimit të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zgjidhja e krizës u planifikua në formën e një procesi i cili u vu në lëvizje nëpërmjet një rezolute të Ansamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës e cila ngarkonte Presidentin e Republikës si mediator për zgjidhjen e saj. U vijua nga negociata të veçanta me palët dhe me kreun e shtetit, i cili i thirri njëherë në një tryezë të vetme palët në konflikt. Ardhja e këtij delegacioni do të zhvleftësohej nëse kriza do të ishte zgjidhur nga palët vendore. Por siç duket ky skenar optimist nuk u verifikua, ndaj hyri në fuqi skenari tjetër. Një institucion europian si Këshilli, vendos të investohet në nivelin më të lartë në zgjidhjen e një krize politike të një vendi të vogël europian. Dhe me mbështetjen e "koncertit" s'ka asnjë shans tjetër veç zgjidhjes së saj.
Ky proces dukej i mbështetur fuqimisht në parimet e gradualitetit në përdorimin e mjeteve diplomatike dhe respektimit në shkallën maksimale të dinjitetit të shtetit shqiptar, por siç duket qeveria jonë nuk donte ta pranonte këtë dalje dinjitoze nga kriza. Pse mund të thuhet kjo? Do të ishte qesharake dhe e shpërpjesëtuar nëse SHBA dhe Bashkimi Europian, qoftë dhe nëpërmjet ambasadorëve të afishoheshin publikisht si mediatorë në zgjidhjen e krizës në këtë vend kaq të vogël. As vetë Bashkimi Europian nuk mund të investohej, sakohë që bëhet fjalë për një vend jo anëtar. Kështu që një nder kaq i madh ju la Këshillit të Europës, oborrit të Bashkimit për vendet aspirante të BE, institucion të cilin shpesh shumica e gazetarëve shqiptarë e kanë ngatërruar me Komisionin Europian apo Këshillin Europian.
Por kush e njeh diplomacinë, e di fare mirë se ndërrmarrja e zgjidhjes së krizës shqiptare është jo e KiE ashtu siç me shkrim tani i referohen mediat vendase Këshillit të Europës, por e koncertit perëndimor, të investuar mbrapa perdeve të kësaj krize. Pikërisht ky fakt e bën më tronditës insistimin sizifian të zotit Berisha për të shtyrë sa më shumë zgjidhjen e krizës drejt datës 6 mars, kur sipas tij hyrja e një pjese të deputetëve rebelë socialistë do të çante të majtën. Ky insistim sizifian për të qenë të sinqertë dha disa fryte taktike që i ngjanin fitoreve. Lobimi personal, apo i tërë makinerisë diplomatike shtetërore arriti në disa prononcime europiane që kritikonin më shumë opozitën, diçka që në dy javë u duk se asnjanësoi punën jashtë mediave të ambasadorëve europianë. Duroi me shpirt në dhëmbë dhe shakatë pa kripë të Berluskonit, për të marrë dhe një prononcim të nivelit të lartë. Megjithatë siç duket ta ketë ditur mirë Berisha, kjo nuk ka bërë të ndërrohet mendja e atyre që kanë qëndruar mbrapa perdes. Ata vazhdojnë ta tregojnë me gisht zgjidhjen dhe më në fund, fitojnë ata.
Lobimi sizifian i Berishës që ka eksperiencë të gjatë në politikë, pra dhe në ndërrmarrje të ngjashme për t'i kthyer mendjen tërë Europës për bëmat e tij, përfundon pra me humbje. Cilado qoftë zgjidhja e miratuar nesër, ajo nuk do të jetë një zgjidhje që i shpëton fytyrën atij, qoftë në planin e brendshëm, qoftë në atë të jashtëm. Por sigurisht nuk është se i sjell ndonjë fitore të madhe as dhe vetë zotit Rama: politika është e përbërë nga beteja të shumta, dhe kjo e hapjes së kutive, është thjesht një betejë që do të harrohet shpejt.
Janë disa arsyet pse pavarësisht llojit të zgjidhjes, ajo nuk nderon askënd. Pra as Shqipërinë.
Së pari, ardhja e kreut të KiE, tregon se ky vend nuk ka kapacitete të brendshme institucionale dhe shoqërore, për të zgjidhur krizat, për t'i tretur brenda vetes. Më saktë nuk ka arritur t'i krijojë përfundimisht ato. Maturimi i këtyre kapaciteteve është dëshmi se një vend bëhet normal dhe meqënëse ne nuk i kemi këto kapacitete atëherë nuk jemi normalë.
Së dyti, gjatë një periudhe goxha të gjatë kjo klasë politike humbi energji, ndërsa vendi ka probleme serioze qeverisjeje. Kjo qeverisje e tipit monist si pasojë e krizës është keqësuar.
Dhe opozita gjithashtu ka humbur disa cilësi tipike të kundërshtares së rreptë të qeverisë, megjithëse mund të duket e kundërta. çështja e kutive është megjithatë vetëm një betejë- ndërsa vendi po lëngon mes problemeve të mëdha. Jemi duke u përmbytur për herë të dytë, dhe prapë opozita po merret me një çështje që s'mund të jetë kryeçështje tërë kohën.
Më së fundi, kjo që ndodhi errëson perspektivën europiane të Shqipërisë, perspektivë e cila shtyhet në kohë. Nëse nuk shtyhet, ky integrim që nis me liberalizimin e vizave, do të bëhet jo për arsye të meritave tona, por pse dikur duhet të bëhej dhe s'mund të shtyhej akoma. Ky fakt që është konfirmuar dhe nga ambasadori i BE, apo ai i Spanjës ditët e fundit, e bën më të madhe përgjegjësinë e kryeministrit Berisha. Ky njeri që e shtyu mbrapsh integrimin europian të Shqipërisë që në 1996 ishte afër nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociimit me BE, nuk duhet t'ja lejonte vetes për llogaritë e veta ta vonojë për së dyti këtë integrim. Edhe duke pranuar se opozita e Edi Ramës mund të ketë interes ta shtyjë, qeveria e Berishës së dytë nuk duhej t'ja jepte këtë shans. Siç duket ardhja e zotit Cavushoglu, nuk duhet të gëzojë askënd. Zgjidhja që ai sjell, apo ja lënë në dorë këta të "Koncertit", duket e trishtueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›