E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Po plotësojmë kushtet për vizat, ekspertët e BE po na testojnë



Të 2283 pyetjet e pyetësorit të Bashkimi të Evropian do të dorëzohen nga Qeveria shqiptare në fund të marsit ose në fillim të muajit prill, 15 javë nga dorëzimit zyrtar dokumentit. Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar ka informuar deputetët e partisë së tij, për procesin e kthimit të përgjigjeve të Pyetësorit të BE-së për procesin e anëtarësimit. Kryeministri theksoi se në Komitetin Ndërministror të Integrimit, javën që kaloi, u shqyrtuan një nga një, 7 kapituj, të cilët kishin të bënin me transportin, financat, bankën, doganat, peshkimin, pra, ishin të fushave të ndryshme. Sipas tij, ajo çka spikati në analizën e këtyre 7 kapitujve ishte serioziteti i madh, me të cilin institucionet shtetërore të vendit kishin trajtuar problemet e shtruara në këta kapituj, të cilat përbënin 1/5 e pyetësorit. Ditën e shqyrtimit të këtyre 7 kapitujve kanë qenë të gatshëm për shqyrtim edhe 10 të tjerë, të cilët do të merren këtë javë. "Javë pas jave do të analizohen kapitujt, deri sa të arrijmë në përgjigjen e 2283 pyetjeve, të ndara këto në 35 kapituj. Shpresojmë që puna të ecë shumë mirë dhe ne ta finalizojmë këtë proces, më të rëndësishmin në historinë e marrëdhënieve tona me Bashkimin Evropian dhe t'ia dorëzojmë Komisionit Evropian në një afat 15 deri në 20 javë, pas dorëzimit të tij autoriteteve shqiptare nga Komisioni. Kjo përbën edhe punën më voluminoze. Dua t'ju informoj se jo 410, sa ishin në fillim, por janë mbi 1000 specialistë të të gjitha fushave të angazhuar në këtë proces, sikundër janë edhe 27 ekspertë të huaj të vendeve mike, që asistojnë grupet tona të punës, në përgjigjet e duhura", deklaroi kryeministri. Berisha ka bërë dhe një ekspoze të punës të qeverisë për procesin e liberalizimit të vizave. "Një problem tjetër që po ecën, do të thosha me vendosmëri të madhe, është edhe çështja e heqjes së vizave. Gjatë këtyre 2-3 javëve ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë në vijim, një numër shumë të madh ekspertësh të vendeve anëtare të BE-së dhe të Komisionit Evropian, që po kontrollojnë në vend, po testojnë të gjitha praktikat, kriteret, kërkesat e udhërrëfyesit për heqjen e vizave. Ajo çka vihet re, është një punë shumë serioze në plotësimin dhe zbatimin e këtyre kërkesave. Shqipëria që lëshoi pasaportën e parë biometrike në maj të këtij viti, sot, ka të lëshuara mbi gjysmë milioni pasaporta të standardit më të mirë në botë. Kryeministri belg më foli me superlativat më të mëdha për cilësitë e kësaj pasaporte. Dua të them me këtë se plotësimi i kushteve po ecën shumë mirë", tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›