Itali,Veltroni:Më falni, nuk ia dola dot.Dorëhiqem.
"Më falni, nuk ia dola dot. Po iki". Kjo ka qenë deklarata e bërë gjatë një konference për shtyp, nga kryetari i Partisë Demokratike Italiane, Valter Veltroni, ku dha shpjegimet e tij për tërheqjen nga kryesimi i partisë. "Italia ka nevojë për një ndryshim të thellë dhe radikal", është shprehur Veltroni. Sipas tij, Berluskoni ka fituar një betejë në shoqërinë italiane sepse ai ka arritur të ngrejë një sistem vlerash. Në fund, Veltroni deklaroi se duhet patur guxim për t'i vënë velat kundër drejtimit të erës. "Ky nuk është antiberluskonizëm, por kritikë për vlerat e vërteta që duhet të ketë demokracia", përfundoi fjalën e tij Veltroni, i dorëhequr përfundimisht nga kryesimi i opozitës italiane.
Dario Françeskini do të marrë rolin e drejtuesit të partisë derisa të merret një vendim për zgjedhjen e kryetarit të ri. Ditën e shtunë është thirrur Asambleja Kushtetuese e Partisë Demokratike që si rend të ditës do të ketë dorëheqjen e Veltronit dhe vendimet e ardhshme statutore. Lideri i opozitës së qendrës së majtë italiane Veltroni dha dorëheqjen të martën, pas humbjes së zgjedhjeve rajonale në Sardenja ndaj konservatorëve të kryeministrit, Silvio Berluskoni.Veltroni, i cili humbi në mënyrë të ndjeshme kundër Berluskonit gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, ishte kritikuar shpesh kohët e fundit se nuk kishte përfituar nga rënia e vendit në recesion ekonomik.