E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia: Plotësoni kushtet, ju mbështesim për vizat

Procesi i liberalizimit të vizave për vendet e Ballkanit mund të jetë një pikë kthese për të luftuar emigracionin e paligjshëm dhe Italia është e gatshme të bëjë pjesën e saj. Kështu u shpreh ministri italian i Punëve të Brendshme, Roberto Maroni, në Brdo (Slloveni). Ai mori pjesë në konferenca ministrore rajonale mbi migracionin e paligjshëm, krimin e organizuar, korrupsionin dhe terrorizmin, i cili pati pjesëmarrje nga 14 vende europiane dhe ballkanike. "Liberalizimi është një proces që filloi gjashtë vjet më parë. Tani për tani, Maqedonia është në gjendje të mirë, Mali i Zi dhe Serbia gjithashtu, por Shqipëria dhe Bosnja kanë ende shumë hapa për të bërë", vijoi Maroni. Ministri italian njoftoi se Italia është në dispozicion për të monitoruar Shqipërinë në mënyrë që tashmë, që nga janari i vitit 2010, të mund të përshtatet me rregullat që kërkohen për liberalizimin e vizave. Në vlerësimin e Maronit, liberalizimi i regjimit të vizave mund të ketë ndikim në luftën ndaj emigracionit të paligjshëm çka përkthehet në më shumë siguri dhe përshtatje me standardet e vendeve europiane. Në këtë drejtim, ministri vuri në dukje se hyrja e Sllovenisë në zonën "Shengen" ka çuar në një reduktim të ndjeshëm të hyrjeve të paligjshme në Itali përmes kufirit. Vetëm pak muaj më parë, Komisioni Europian mori vendimin për të propozuar heqjen e regjimit të vizave për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi. Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës iu kërkua të shtojnë ritmet e reformave për të përmbushur standardet e nevojshme. Liberalizimi i vizave për tre vendet e para të Ballkanit pritet të fillojë efektin që nga janari i vitit 2010. Deklarata e ministrit të Brendshëm italian vjen si një sinjal i koordinuar. Më parë Italia, përmes ministrit të Jashtëm, Franko Fratini, kërkoi mbajtjen e një samiti të BE-së, me praninë edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku të jepej një mesazh i qartë dhe konkret për anëtarësimin në union të vendeve të Ballkanit. Paketa "Fratini" synonte përshpejtimin e rrugës integruese në organizmat euroatlantikë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Propozimi i parë kishte të bënte me regjimin e lirë të vizave. Italia mendonte se, Komisioni Europian do të mund të fillonte përgatitjet për raportin teknik rreth aplikimit të Malit të Zi për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Ky veprim mendohej të vazhdonte më pas në të njëjtën mënyrë me Shqipërinë dhe Serbinë. Së treti, Italia synonte që të mbylleshin negociatat për pranimin e Kroacisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2010. Italia bënte thirrje për forcimin e rolit europian në Bosnjë-Hercegovinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›