“Italia, avokate e lëvizjes së lirë të shqiptarëve, po i përmbushim standardet”
Deklaron zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand
Poni, pas Konferencës në Slloveni Zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, u shpreh dje se realizimi i procesit të lëvizjes së lirë për qytetarët shqiptarë, është në rrugën e duhur. Lidhur me standardin vendimtar, atë të pajisjes me pasaportat e reja biometrike, zv/ministri i Brendshëm u shpreh se kanë aplikuar 170 mijë shtetas, ndërkohë që janë prodhuar 150 mijë pasaporta, proces ky që po shkon në rritje dhe që do të sjellë arritjen e objektivit të qeverisë, për pajisjen brenda vitit të 400 mijë shtetasve me pasaportat e reja TIRANE – Vendi anëtarë i Bashkimit Evropian dhe njëherazi fqinj i Shqipërisë, Italia, ka shprehur mbështetje të garantuar, për procesin e liberalizimit të vizave me vendet e unionit, brenda një periudhe të caktuar. Këtë e ka shprehur dje edhe zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni, gjatë një prononcimi për mediat, i cili deklaroi se Shqipëria mbetet e angazhuar, për realizimin në kohë të kushteve që mundësojnë lëvizjen e lirë. I pranishëm në konferencës e 9 të ministrave të Brendshëm të Ballkanit, që u zhvillua dy ditë më parë në Slloveni, Poni sqaroi se kjo konferencë i kushtohej liberalizimit të vizave, emigrimit ilegal, krimit të organizuar dhe luftës ndaj korrupsionit dhe terrorizmit. “Blloku i parë, i vendosur nga më të rëndësishmit, ishte diskutimi mbi liberalizimin e vizave dhe analiza e rezultateve të çdo vendi”, vijoi Poni, duke nënvizuar se pala shqiptare paraqiti në këtë takim rezultatet që Shqipëria ka arritur në pak kohë krahasuar me shtetet e tjera të rajonit. Në këtë kuadër ai vuri në dukje ecurinë e procesit të pajisjes së shtetasve shqiptarë me pasaporta biometrike, një kusht për liberalizimin e vizave, ku nga marsi i këtij viti deri në fund të gushtit kanë aplikuar mbi 170 mijë shtetas, ndërsa janë prodhuar 150 mijë pasaporta. Sipas tij, aplikimet për pasaportë biometrike kanë arritur 5 000-6 000 në ditë. Zëvendësministri Poni evidentoi në prononcimin e tij për mediat, deklaratën e ministrit të Brendshëm të Italisë, Roberto Maroni, i pranishëm në këtë konferencë. “Krahas vlerësimeve për arritjet e shkëlqyera të qeverisë shqiptare, Maroni siguroi mbështetjen e Italisë për Shqipërinë në liberalizimin e vizave. Ai vlerësoi ecurinë e deritanishme të Shqipërisë në këtë drejtim si dhe shprehu interesin e veçantë të Italisë që vendi ynë të përfitojë, ashtu si dhe vendet e tjera, nga liberalizimi i vizave”, theksoi zëvendësministri Poni. Italia mbështet Shqipërinë për liberalizimin e vizave, deri në janarin e vitit 2010. Gatishmërinë e saj Italia e ka rikonfirmuar nëpërmjet Roberto Maroni, Ministrit të saj të Brendshëm, në një takim të bërë dje me Ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian në Lubjanë të Sllovenisë. Ministri i Brendshëm italian Maroni, u shpreh pak ditë më parë, pas një takimi të ministrave të brendshëm të BE-së në Lubjanë të Sllovenisë, ku u diskutua gjerësisht mbi temat e vizave dhe emigracionin klandestin, se Italia është e gatshme të mbështesë dhe monitorojë Shqipërinë deri në liberalizimin e vizave me vendet e BE-së në janar të vitit 2010. Deklarata e lëshuar nga Ministri i Brendshëm italian është bërë në takimin e për kontrollin dhe frenimin që mund t’i bëhet emigracionit klandestin nga Libia dhe vendet e tjera Afrikës. Brenda diskutimit për këtë temë Ministri Maroni nënvizoi se liberalizimi i vizave për vendet e gadishullit Ballkanik do të jetë një zhvillim i ri. Ai tha se “sistemi i vizave dhe kontrolli efikas i hyrjeve është një mënyrë për të kontrastuar emigracionin klandestin: kjo do të thotë më shumë siguri, një përafrimi me standardet e BE të kontrollit të arealit ballkanik, të uljes së fluksit të emigracionit të parregullt”. Ndër të tjera Ministri Maroni shpjegojë se “ky është një proces i nisur 6 vjet më parë. Deri tani Maqedoni është në rregull, Mali i Zi dhe Serbia po i afrohen, por Shqipëria dhe Bosnja ka edhe disa hapa për të bërë deri në janar të 2010. Në konferencën e 9 të ministrave të Brendshëm të Ballkanit u diskutua dhe për luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Punimet përfunduan me nënshkrimin e një memorandumi të përbashkët, i iniciuar nga Sllovenia, Rumania dhe Austria, tre shtete të BE-së lidhur me projektin e quajtur ILEKSU, që lejon koordinimin dhe shkëmbimin e informacioneve mbi me luftën kundër krimit të organizuar, emigrimit të paligjshëm. Sipas Ponit, në këtë konferencë u propozua që në takimin e ardhshëm të ministrave të Ballkanit të përfaqësohet dhe Kosova, çka do t’i jepte një zgjidhje të gjerë çështjeve të rendit, krimit të organizuar, menaxhimit të kufijve, etj