Italia bllokon leje-qarkullimet për kamionët shqiptarë
Është viti i dytë që me kamionistët durrsakë (dhe jo vetëm me ata) përsëritet nga Ministria e Transportit e Italisë bllokimi i lejeve të qarkullimit ose ndryshe disvoltave italiane, çka ka bërë të mundur paralizimin e punës prej disa javësh. Kamionistët shprehen se “po vazhdojmë të trajtohemi me të njëjtin status si homologët tanë iranianë e irakianë në shtetin italian”. Ata janë të vetmit drejtues kamionësh që u ndalohet qarkullimi në Itali nëse nuk janë të pajisur me leje qarkullimi që shoferët i quajnë “disvolta”. Ka më shumë se 1 muaj që thuajse të gjithë kamionët e tonazhit të madh të transportit ndërkombëtar të Durrësit kanë mbetur pa punë. Mbi 80 për qind e tyre bëjnë biznes me Italinë, por meqenëse lejet e qarkullimit të cilat lëshohen nga ana e Ministrisë së Transportit e Italisë kanë mbaruar, ky lloj transporti ka mbetur i paralizuar. Edhe pse kjo është një çështje e vjetër, ajo nuk është zgjidhur ende.
Përsëritja
Në Durrës janë pothuajse 400 kamionë të tonazheve nga 20 tonë deri 25 tonë të cilët kanë mbetur pa punë. Sipas parashikimeve, një situatë e tillë mund të vazhdojë deri në fillim të vitit 2009, kohë kur Ministria italiane e Transporteve do të dërgojë lejet e reja. Bllokimi i mjeteve të tonazhit të madh për mungesë lejesh qarkullimi nuk është ndonjë problem i ri për këtë sektor. Një situatë e tillë ka vite që përsëritet në mënyrë ciklike, duke i shkaktuar dëme këtij biznesi. Pronarët e Agjencive të Transportit Ndërkombëtar në Durrës shprehen se “këtë vit lejet kanë mbaruar që në fillim të shtatorit. Deri në fund të vitit nevojiten edhe 5 mijë leje shtesë me të cilat do të mund të plotësoheshin nevojat, jo vetëm për Durrësin, por edhe për qytetet e tjera të vendit”. Por lejet shtesë nuk po duken gjëkundi me gjithë kërkesat e herëpashershme. Edhe pse ky problem është ngritur në rang diplomatik, përsëri kamionistët tanë trajtohen nga ana e palës italianë njëlloj si iranianët dhe sirianët, ndërsa nuk ngjet kështu me kamionistët e vendeve të tjera për të cilët rrugët e Italisë janë të lira pa pasur nevojë për “disvolta”.
Sërish një taksë e re
Përveç lejeve të qarkullimit, sektori i transportit ndërkombëtar ndihet i persekutuar për herë të dytë nga ana e palës italiane. Ai është i detyruar të paguajë një taksë së cilës i nënshtrohen vetëm 2 vendet arabike. Sapo shkelin në Itali, kamionistët tanë janë të detyruar të paguajnë taksën e peshës. Për çdo ton ngarkesë paguhet 10 euro taksë. Pra për një rrugë vajtje-ardhje nga Italia, për një kamion 25 tonësh, taksa është 500 euro. Kjo taksë e rëndon mjaft gjendjen e transportuesve tanë, pasi janë të detyruar që çdo rrugë ta nisin me shifrën e 500 eurove, në një kohë që homologët e tyre paguajnë diçka tepër të papërfillshme, si p.sh., një kamion maqedonas paguan vetëm 35 euro për rrugën vajtje-ardhje nga shteti ynë fqinj.
Shqipëri-Danimarkë
Bashkëpunim për formimin profesional
Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta priti dje në një vizitë formale ambasadorin e Mbretërisë së Danimarkës në Shqipëri, zotin Karsten Ankjaer Jensen. Ministri Duro falënderoi ambasadorin Jensen për ndihmesën që qeveria daneze ka dhënë në vazhdimësi në mbështetje të politikave zhvilluese të qeverisë shqiptare gjatë periudhës së tranzicionit. “Tregues domethënës i kësaj mbështetjeje, - theksoi Duro, - është fakti që Parlamenti danez tashmë e ka ratifikuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Shqipërinë”. Më tej, ministri shqiptar i Punës bëri një prezantim të punës së Ministrisë, duke u ndalur veçanërisht në politikat aktive të punësimit, ato në fushën e mbrojtjes sociale, si dhe politikat për mbrojtjen dhe sigurinë në punë, si tri nga shtyllat kryesore të objektivave të programit katërvjeçar të qeveris