E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia dhe Libia, si zgjidhjet e shkuara koloniale

Pas shumë vitesh bisedime të ngadalta, Italia dhe Libia mund të jenë pranë arritjes së një marrëveshjeje mbi pretendimet që lindën nga aventura e shkurtër por e ashpër koloniale e Italisë në Afrikën e Veriut, para Luftës së Dytë Botërore. Libia qe vendi që diktatori fashist Benito Musolini pëlqente ta quante “bregu i katërt i Italisë”. (Shqipëria cilësohej si “Bregu i Pestë” i Italisë).

Së fundmi, njëri prej djemve të udhëheqësit libanez Muamar Khadafi, i quajtur Saif al-Islam, deklaroi se nënshkrimi i një marrëveshjeje kompensimi për vuajtjet gjatë kohës së kolonializmit italian është pranë. Libia jetoi si koloni italiane për 32 vjet. Zyrtari libanez deklaroi se dëmshpërblimi do të jetë “me miliarda”, por nuk përmendi monedhë. Të ardhurat pritet të investohen për autostrada bregdetare në vendin afrikan. Nga ana tjetër, diplomatët italianë tentuan të ulin zhurmën që po rrethon këtë çështje, por kryeministri Silvio Berluskoni nxitoi ta shpallte si sukses të madh, që mund të realizohet brenda gushtit.

Si të gjitha marrëdhëniet mes ish-kolonive dhe ish-kolonizatorëve, marrëdhënia mes Italisë dhe Libisë është delikate dhe intime. Italia është partneri më i rëndësishëm tregtar i Libisë, por vuajtjet që libianët hoqën gjatë kohës së kolonisë shkaktojnë ende valë nacionalizmi në këtë vend. Disa dhjetëra-mijëra libianë vdiqën nëpër kampet e përqendrimit që Italia ndërtoi për të shtypur revoltën popullore që vijoi për 23 vjet. Në vitin 1970, kolonel Ghedafi përzuri 20 mijë italianë, të cilët sot e kësaj dite besojnë se u takon një kompensim. Por Italia ka edhe shqetësime të tjera. Gjatë kësaj vere, fluksi i klandestinëve që mbërrijnë në ishullin e Lampeduzës, dhe përbëjnë problem për Romën, është shtuar. Shumica e emigrantëve nisen në drejtim të Italisë nga portet libiane. Eliminimi i emigrimit ilegal është prioritet i qeverisë së z.Berlusconi, gjë që shpjegon edhe ankthin e tij për të mbyllur sa më parë atë marrëveshje me Libinë, që qe diskutuar më herët edhe nga qeveria e majtë. Ai ka punuar personalisht për të mbyllur bisedimet me udhëheqësin libanez.

Emigrantët e paligjshëm që nisen nga Libia, zakonisht mbi varka shumë të rrezikshme e të paqëndrueshme, përbëjnë vetëm një përqindje shumë të ulët të hyrjeve të paligjshme në Itali. Por kur mbërrijnë, ata kanë një impakt shumë më të madh nga pjesa tjetër që kalon kufirin tokësor pa zhurmë e pa u dalluar nga media, apo ato që qëndrojnë në Itali pasi kanë hyrë me një vizë të përkohshme. Sa herë që ndonjë rrangallë deti e mbushur me afrikanë filmohet duke iu afruar bregut, publiku sheh se emigrantët ilegalë janë ende duke hyrë në Itali, dhe janë të shumtë. Dhjetorin e kaluar, qeveria e mëparshme italiane nënshkroi një marrëveshje me Libinë për të ndaluar emigrimin, por Libia nuk e ka zbatuar ende atë. Në 25 korrik, Italia shpalli gjendjen e emergjencës kombëtare në kundërpërgjigje të rritjes së shpejtë të numrit të emigrantëve të paligjshëm që kanë vërshuar në Lampeduza. Një marrëveshje me Libinë mund të prezantohet si një hap i madh drejt zgjidhjes së krizës. Por kjo lë ende, së paku, dy pyetje pa përgjigje. Njëra është nëse Libia mundet apo do realisht ta ndalojë fluksin e emigrantëve. Libia ka më shumë se 1700 kilometra vijë bregdetare. Italia bëri një marrëveshje me Shqipërinë në vitin 1998, marrëveshje që solli ndalimin e emigrimit ilegal. Por kjo gjë kërkoi patrullimin e detit shqiptar nga anijet italiane të luftës, si dhe vendosjen e agjentëve të zbatimit të ligjit në anën tjetër të Adriatikut, në një masë të tillë sa në rastin e Libisë, nuk mund të kryhet. Ka pak gjasa që Libia ta pranojë ndërhyrjen në punët e brendshme.

Pyetja tjetër lidhet me faktin nëse Italia me të vërtetë po njeh të shkuarën e vet dhe po kompenson vuajtjet që ka shkaktuar në një vend të pasur me naftë si Libia. Ndryshe nga britanikët dhe francezët, italianët e kanë pranuar shumë rrallë përgjegjësinë që vjen nga e shkuara koloniale. Kritikat kundër kolonializmit duken shumë rrallë nëpër librat e shkollave. Në vitin 1981, dollarët me origjinë nga nafta të Libisë, financuan një film mbi rezistencën ndaj sundimit italian. “Luani i Shkretëtirës” qe një film që bleu një listë të gjatë yjesh për ta interpretuar, përfshirë Anthony Quinn dhe Oliver Reed. Qeveria italiane vendosi ndalimin e qarkullimit të atij filmi, duke thënë se e konsideronte “të dëmshëm” për nderin e ushtrisë së saj. Shumë pak italianë e kanë parë atë film deri më sot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›