Mukja, gjak pas përqafimit
Historianët i rikthehen Konferencës së Mukjes, si një nga sfidat e shkencës zyrtare. Nuk ishte një manovër për të marrë pushtetin, por përpjekje për bashkim kombëtar dhe vendosjen e një regjimi demokratik
65-vjetori i parlamentit të parë pluralist
Plot 65 vjet nga mbajtja e Konferencës së Mukjes, historianët së toku thonë se duhet parë nën tjetër dritë konferenca që shënoi bashkimin e të gjitha forcave politike e që për 50 vjet u konsiderua një nga pikat e errëta të historisë. Në sesionin shkencor të zhvilluar dje nga Instituti i Historisë, takimi i Mukjes u konsiderua “sfidë për historianët”, që do të thotë se mbetet ende për të studiuar dhe kuptuar se ç’ishte kjo konferencë dhe pse vendimet e marra në të dështuan. Cili ishte qëllimi i dy forcave politike që morën pjesë në ngjarjen e madhe dhe pse u dënua vetëm pak ditë më vonë?
Cili ishte roli i Partisë Komuniste dhe i Ballit Kombëtar dhe si ndërhynë jugosllavët? Të gjithë të pranishmit janë në një mendje kur thonë se Konferenca e Mukjes ishte hapi i parë drejt bashkimit kombëtar dhe drejt një rendi demokratik.
Për historianin Uran Butka, konferenca e Mukjes është një ngjarje kyç në historinë e Shqipërisë, e cila shpjegon jo vetëm ngjarjet e kohës, por edhe të asaj që pasoi. “Mukja është simbol i bashkimit dhe ndarjes”, - thotë Budka. Për të, bashkimi i të gjitha forcave politike ishte kërkesë urgjente e kohës dhe kjo ishte mëse e mundshme. Ai e argumenton me faktin që asokohe si Fronti Nacionalçlirimtar, ashtu edhe Balli Kombëtar “e konsideronin njëri-tjetrin partnerë, ndoshta si forca rivale, por jo armiq” dhe se të dyja e konsideronin pushtuesin, armik që duhej luftuar. Tradita nacionaliste ishte, ndërkaq, më e fortë se ajo komuniste, e cila ishte e huazuar.
Historiani e bazon këtë edhe në një dokument të rëndësishëm të 18 korrikut të vitit 1943. Është një mesash që Fronti i dërgon përfaqësuesve të Ballit për bashkim, dokument ky, që sipas Butkës ka mbetur i papublikuar për dekada. Për të mbërritur tek vendimet e vetë konferencës, që zgjati tri ditë, ku vendimi i parë është organizimi i luftës së përbashkët, në krahë të aleatëve, kundër pushtuesve, nën moton “Ja vdekje, ja liri!”. Luftë për një Shqipëri të “pavarme dhe etnike”, për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, ku forma e regjimit do të zgjidhej nga vetë populli, përmes një asambleje kombëtare. Marrëveshja e firmos nga përfaqësues të të dyja palëve si Myslim Peza, Abaz Kupi, Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi, Omer Nishani, Haki Stërmilli, Gogo Nushi, Mit’hat Frashëri, Hysni Lepenica, etj.
Budka thekson se për herë të parë në Mukje u diskutua çështja e Kosovës. “Marrëveshja e Mukjes u arrit sepse të dyja forcat politike u treguan tolerante”, - thotë ai, teksa e quan konferencën një model të dialogut kombëtar. Rezultatet u dhanë menjëherë në betejën e 4-5 gushtit në Qafë Shtamë, kundër pushtuesve italianë. Por jetëgjatësia e bashkimit ishte fare e shkurtër.
Marrëveshja u rrëzua pak ditë më vonë. Uran Budka thotë se ndikim kryesor në këtë dështim pati Partia Komuiniste jugosllave dhe “Enver Hoxha me qarkoret e tij, që urdhëroi fillimin e luftës civile”.
“Nuk ishte një përqafim me gjak, por gjak pas përqafimit”. Kështu e përkufizoi historiani Muharrem Dezhgiu, Konferencën e Mukjes, e mbajtur më 1 gusht të vitit 1943. Dezhgiu e vë theksin në qëndrimin e Ballit Kombëtar. Nuk është e vërtetë, sipas tij, që Balli Kombëtar kishte synim marrjen e pushtetit dhe i quan “të kalçifikuara” mendimet e atyre historianëve që vazhdojnë ta shohin vetëm në këtë drejtim ngjarjen në fjalë. BK “nuk shqetësohej për pushtetin, por për llojin e regjimit”. Dhe ata ishin mëse të vendosur që regjimi të vendosej nga vetë populli, me zgjedhje të lira dhe demokratike, “kështu që bie pikëpamja e shprehur që krijimi i Komitetit për Shpëtimin e Shqipërisë ishte manovër e Ballit Kombëtar”.
Sipas Dezhgiut “marrëveshja e Mukjes shmangte egon për pushtet” dhe vendimet e tij u pranuan edhe nga zogistët që pretendonin të merrnin pushtetin e lënë nga Mbreti Zog I. Ai, gjithashtu, është i idesë që marrëveshja “u sabotua” nga ndërhyrja e Partisë Komuniste Jugosllave, personalisht e Miladin Popoviçit dhe më tej e Enver Hoxhës, që shtypi pjesën më të mirë të udhëheqësve të Këshillit Nacionalçlirimtar, që mori pjesë në Konferencën e Mukjes. Për të prishja e marrëveshjes dëmtoi moralin e Luftës Nacionalçlirimtare, çoi në largimin nga parimet e Frontit dhe solli më tej si pasojë, jo vetëm vendosjen e regjimit diktatorial, po edhe spastrimet etnike në Kosovë e Çamëri. Historianët e pranishëm në sesionin e djeshëm, ishin të një mendjeje, që nëse do të ishin zbatuar vendimet e Mukjes, historia do të kishte marrë një tjetër drejtim dhe Shqipëria do të kishte sot të tjera pozita në Evropë. E konsideruan “një parlament pluralist” Konferencën e Mukjes, por që gjithsesi duhet njohur dhe duhet të përbëjë një subjekt për studim.