Duam paret tona
Aktoret e korit të tragjedisë “Trojanet”, premiera absolute e Teatrit Kombëtar në 60 vjet histori, i janë drejtuar kreut, Kristaq Skrami. Kërkojnë shpërblimin për punën e bërë që më 2 maj
I zënë derën Skramit, kurse Drejtori i Teatrit Kombëtar iu buzëqesh
Rreth orës 10.00 të ditës së djeshme, disa të reja ishin mbledhur para Teatrit Kombëtar. Janë aktoret që kanë interpretuar në korin e tragjedisë “Trojanet” të Euripidit, e shfaqur premierë absolute (për herë të parë në historinë 60-vjeçare të Teatrit Kombëtar) më 18 korrik 2008, në teatrin antik të Butrintit.
Janë mbi njëzetë aktore të cilat nuk kanë marrë asnjë qindarkë për punën e bërë që nga data 2 maj kur nisën provat për vënien në skenë të veprës me regjisorin grek Vangjelis Theodoropulos.
Eftiola Laçka, Adriana Tolka, Loredana Gjeçi etj, të cilat kanë lidhur kontratë për herë të parë në karrierën e tyre me Teatrin Kombëtar dhe për një angazhim të lodhshëm, i janë drejtuar kreut të këtij insitucioni, Kristaq Skrami, për ta dëgjuar nga goja e tij se kur do të paguhen. “Ju e dini përse kemi ardhur” i janë drejtuar aktoret Skramit që i ka pritur në korridor me një buzëqeshje. Sipas njërës prej aktoreve të reja dhe të talentura të korit, Skrami e ka marrë lehtë situatën, u ka thënë “shumë shpejt”, të njëjtën përgjigje që ka dhënë para medias i kapur gafil nga dalja në publik e faktit që aktoret nuk janë paguar.
“Na drejtoi për të marrë një përgjigje më të saktë nga shefja e financës. Aty na u tha se shumë shpejt pagesat dotë hidhen në numrat personalë të llogarive bankare. Po nuk dimë sa e vërtetë është kjo”, tha e njëjta aktore e cila për arsye që kuptohen nuk do donte të identifikohej. Ajo si shumë vajza të tjera të korit nuk është pjesë permanente e trupës së Teatrit Kombëtar, nuk paguhet me rrogë. Për këtë shfaqje ajo ka lidhur një kontratë.
Në vija të përgjithshme, drejtori Skrami sqaroi në konferencën për shtyp me rastin e mbylljes së sezonit, se në bazë të kontratës aktorët marrin menjëherë pas premierës 60% të vlerës për të cilën është rënë dakord, dhe pjesën tjetër pasi të jenë dhënë të gjitha shfaqjet, pra më 2009-ën.
Premiera ka dy javë që është dhënë. Trupa pati një tjetër shfaqje të suksesshme më 21 korrik në Festivalin e Teatrit të Vironës, në Greqi. Kështu që “Trojanet” ka hyrë në një proces shfaqjesh pavarësisht se premierë drejtori Skrami quan edhe shfaqjen në Tiranë më 26 shtatorin e ardhshëm. “Gjithë ky sqarim duhet bërë”, thotë një aktore tjetër që është përballur dje me Skramin, “sepse ka zëra që thonë se “Trojanet” nuk e ka dhënë akoma premierën në Teatrin Kombëtar. Kë duhet të besojmë? Për çfarë premiere absolute është folur deri tani?”.
Ema Andrea, një tjetër aktore që nuk jeton me rrogën e Teatrit Kombëtar, një protagoniste e “Trojaneve” me rolin e Kasandrës, pranoi para disa ditësh për “Shekullin” se nuk është paguar, por që beson se të drejtat financiare nuk mund t’i shkelë kush ngaqë ka një kontratë të nënshkruar mes palësh.
Kurse Rajmonda Bulku, aktore e përhershme e trupës së Kombëtarit, tha dje për gazetën se nuk e ka idenë fare se çfarë ka ndodhur me vajzat e korit. “Unë jam punonjëse e Teatrit Kombëtar dhe s’kam problemet që kanë ato”, tha Bulku të cilës i ishte besuar roli i Helenës. E pyetur nëse e ka marrë shpërblimin artistik për realizimin e kësaj figure, Bulku tha që “ka ca rregulla. Duhet të japim 3-4 shfaqje pastaj. Dhe s’e kam idenë përse ankohen ato. Jam me pushime”.
Veç e veç dhe tani së bashku, koristet e Euripidit që nuk janë aspak emra anonimë me angazhimet e deritanishme në teatër, kanë kërkuar shpjegime nga Skrami i cili, mësohet të ketë dhënë edhe “justifikime absurde” të llojit “s’ka buxhet”.
“Po kërkojmë një të drejtë që është parimore dhe ekonomike”, përfundoi njëra nga aktoret.
Ema Andrea:
“Pagesa duhej të bëhej pas premiere. Dhe ne jemi pas premiere… është çështje burokracie, është punë ditësh, javësh. Nuk e di. Pagesa nuk ka dhe aq rëndësi, përveç kënaqësisë profesionale që mora, faktit që bëra një rol pa tradhtuar profesionalizmin tim në një ambient artistik i cili nuk më ka pranuar asnjëherë dhe tek i cili nuk jam afruar asnjëherë, që do të thotë Teatri Kombëtar. Kurse me vonesat e pagesës jam përballur gjithë jetën… Kam një kontratë të shkruar që nuk do të shkelet asnjëherë, kështu që s’kam frikë.”
Rajmonda Bulku
Rajmonda Bulku, aktore e përhershme e trupës së Kombëtarit, tha dje për gazetën se nuk e ka idenë fare se çfarë ka ndodhur me vajzat e korit. “Unë jam punonjëse e Teatrit Kombëtar dhe s’kam problemet që kanë ato”, tha Bulku të cilës i ishte besuar roli i Helenës. E pyetur nëse e ka marrë shpërblimin artistik për realizimin e kësaj figure, Bulku tha që “ka ca rregulla. Duhet të japim 3-4 shfaqje pastaj. Dhe s’e kam idenë përse ankohen ato. Jam me pushime”.