"Flokët po më thinjen, por jam ende i fortë"
Për "Sky Sport 24", ditën e ditëlindjes së tij kapiteni i Interit, Havier Zaneti, rrëfehet për periudhën e kaluar te zikaltrit: "është një ditë e veçantë për mua, falënderoj shoqërinë që më ka rinovuar kontratën dhe dua të falënderoj edhe tifozët, Interin, presidentin Morati, si dhe të gjithë ambientin interist. Uroj që të vazhdoj ta nderoj këtë fanellë. Jam tepër krenar që do të vazhdoj të mbaj fashën e kapitenit, - është shprehur argjentinasi. - Këtë vit do ta kemi të vështirë. Në Serinë A do të na duhet të ndeshemi me të gjithë, me Romën, Juventusin, Milanin, Fiorentinën dhe Xhenoan, që janë të gjitha skuadra të mira. Për rrjedhojë ato do përpiqen që të na mundin, aq më tepër që janë përforcuar shumë. Ndërkohë, ne duam të vazhdojmë të shkruajmë historinë e këtij klubi. Do të luajmë Superkupën italiane kundër Romës: nuk do të jetë aspak e lehtë, pastaj kemi Superkupën Evropiane. Shpre- sojmë që të arrijmë sa më shumë rezultate pozitive". Zaneti ka bërë një koment edhe për trajnerin e ri të Interit, Rafa Benitez: "Ai i ka idetë e qarta. Kur vjen një trajner i ri, gjithmonë kështu ndodh, ka ndryshime. Por ne duhet të tregohemi të zotët që të shkurtojmë kohën e rikthimit në maksimumin tonë. Rafa ka një ide taktike të një skuadre mjaft të mirë dhe e di që grupi është i disponueshëm dhe kompakt". Zaneti më pas ka analizuar edhe merkaton, sidomos çështjen e Maikonit dhe Balotelit: "Shpresoj që Maikon të qëndrojë me ne. Presidenti Morati u tregua tepër i qartë, ai duhet të qëndrojë. Edhe unë e thashë: Maikon është mbrojtësi më i fortë në botë, është një lojtar shumë i rëndësishëm për Interin dhe i tillë do të jetë edhe në të ardhmen, pastaj më duhet të pranoj që të tjerat varen nga shoqëria. Përsa i përket Balotelit, të gjithë e dimë që është shumë pranë largimit, edhe menaxheri i tij e ka thënë. Por tani Mario e ka mendjen te kombëtarja dhe sido që të shkojnë gjërat, ai vazhdon të mbetet shoku ynë i skuadrës, - ka theksuar Zaneti. - A jam zhgënjyer që Maradona s'më grumbulloi në Botëror? Unë jam i qetë, kam dhënë maksimumin. Kur jep gjithçka nga vetja dhe zgjedhjet i bëjnë të tjerët, nuk ndihesh keq, sepse je përpjekur. Një kuriozitet? Flokët e bardhë kanë filluar të më dalin, por s'kam ç'të bëj. Futbollisti më i mirë për t'u përballur? Ka qenë Paolo Maldini. E admiroj shumë, sepse është një futbollist dhe një njeri i jashtëzakonshëm. Në çdo derbi me Milanin sfidat kanë qenë të mrekullueshme". Zaneti ka bërë një analizë edhe për kombëtaren e çezare Prandelit: "I uroj sa më shumë fat. çezare është një trajner i madh, prandaj jam i bindur që do të bëjë një paraqitje të mirë. Dhurata më e bukur që kam marrë? Kur fëmijët dhe bashkëshortja ime më kanë marrë në 12 të natës dhe më kanë kënduar këngën e ditëlindjes në spanjisht dhe italisht. Pastaj erdhën e më përqafuan. Ka qenë një moment fantastik".