E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthimi në Skrapar, në grupin hetimor specialistë të Mbrojtjes

SKRAPAR – Specialistë të Ministrisë së Mbrojtjes kanë shkuar dje në repartin ushtarak të Bigasit në Skrapar për të hetuar më tej mbi ngjarjen e rëndë që i mori jetën një 42-vjeçari. Fatos Dyrmishi vdiq ndërsa çmontonte një predhë për ta shitur më pas për skrap, pa e ditur se ajo ishte me djegore të aktivizuar. Fakti që ngjarja ndodhi pranë repartit të demontimit të municioneve ka hedhur dyshimet se predha mund të jetë pjesë e materialeve luftarake të paplasura që janë hedhur në mënyrë të pakontrolluar jashtë territorit. Ky është dyshimi i parë i grupit hetimor, nisur nga fakti se në këtë repart kryhej prej vitesh demontimi i municioneve ushtarake, prej vitit 2008 i shpallur poligon kombëtar. Ndërkohë që pista e dytë është nëse predha i përket grabitjeve masive të vitit 1997, me shkatërrimin e depove të ushtrisë. Për këtë çështje, ditën e djeshme është ndërprerë përkohësisht procesi i demontimit, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ky repart punonte me intensitet për shkatërrimin e municioneve të ushtrisë dhe në gusht të këtij viti do të mbyllej përfundimisht. Ditën e diel, kur ndodhi shpërthimi fatal për jetën e 42-vjeçarit nga fshati Çepan, disa kilometra larg repartit të Bigasit në Skrapar, asnjë punonjës nuk ka qenë në punë, për shkak se ishte ditë pushimi. Policia ka konfirmuar faktin se ngjarja ka qenë aksidentale, pasi viktima Dyrmishi ka dashur të zbërthejë pjesët e predhës për ti shitur më pas hekurishtet si skrap. Por, prekja që i është bërë djegores aktive ka provokuar shpërthimin dhe vdekjen në vend të 42-vjeçarit. Hetimet tashmë mbeten të përqendruara te fakti i ndodhjes së predhës së pashpërthyer pranë territorit të repartit.             d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›