Ambasadori danez: Mbështesim Shqipërinë në NATO
Ambasadori i Danimarkës në Shqipëri, Karsten Ankjaer Jensen, tha se Danimarka ka mbështetur shumë Shqipërinë në procesin e saj të anëtarësimit. Sipas tij, taksapaguesit danezë kanë paguar shumë për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit. “Shqipëria është një forcë stabiliteti në Ballkan. Personalisht, duhet të them se nga qëndrimi im këtu kam vënë re se Shqipëria dhe shqiptarët janë me zemër në Evropë. Ju qartësisht i përkisni familjes evropiane”, tha ambasadori Karsten Ankjaer Jensen. Ambasadori ka sqaruar dhe vendosmërinë e tij për të ndihmuar Shqipërinë në proceset integruese. “Edhe pse ekzistojnë shumë ndryshime midis danezëve dhe shqiptarëve, në situata të rëndësishme ne mendojmë dhe veprojmë njësoj. Jemi pjesë e të njëjtës trashëgimi. Ky ka qenë një zbulim. Padyshim kjo ka forcuar vendosmërinë time për të ndihmuar Shqipërinë, që ajo të sigurohet se do të vazhdojë të ecë në drejtimin e duhur, i cili është drejt Evropës dhe jo larg saj”, tha ambasadori danez. Sipas tij, Shqipëria ka bërë dhe vazhdon të bëjë të pamundurën, për të mbrojtur stabilitetin dhe nxitur marrëdhëniet e mira me fqinjët dhe vendet e tjera.