E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia i “fal” Shqipërisë 20 milionë euro borxhe

25/10/2011  Marrëveshja, brenda dy vitesh të përdoren për projekte në arsim, shëndetësi dhe punësim

Qeveria italiane i ka falur borxhin vendit tonë. Bëhet fjalë për 20 milionë euro, të cilat duhet të përdoren brenda dy vitesh dhe me kusht që të shkojnë për projekte të ndryshme në arsim, shëndetësi, ndihmë për shtresat e varfra, si dhe për politikat e punësimit. Pak muaj pasi marrëveshja u firmos nga ministri i Financave dhe përfaqësuesi më i lartë i qeverisë italiane në Tiranë, ambasadori italian Saba d’Elia deputetët e Komisionit për Ekonominë i kanë dhënë miratimin e projektligjit që ratifikon marrëveshjen mes dy shteteve.

Përdorimi i kësteve

Afati i përdorimit të fondit për realizimin e projekteve të përzgjedhura është deri në dy vjet, që nga momenti i depozitimit të këstit të fundit. “Është rënë dakord që këto pagesa të mos bëhen po të depozitohen në një fond dhe të përdoren më tej për të financuar projekte që do të bien dakord mes dy qeverive. Pra, ideja është ne po shkëmbejmë 20 milionë euro në detyrime, principal dhe interes për t’i kaluar këto fonde për të financuar projekte të reja. Është një marrëveshje me mjaft përfitim për ne. Në mënyrë indirekte është një falje borxhi. Pagesat tona që do shkojnë në këtë fond, do të shkojnë në këste. I pari do të jetë 500 mijë euro, ndërsa këstet e tjera do të jenë rreth 1.95 milionë euro”, - tha Resmi Ibraj, specialist në Drejtorinë e Borxhit, pranë Ministrisë së Financave. Deputeti i PS-së, Arben Malaj, u shpreh se projektet që do të përfitojnë nga këto fonde duhet të përfshihen në strategjitë sektoriale.

Marrëveshja

Fondet e krijuara nga depozitimi i kësteve të shërbimit të borxhit për kreditë ekzistuese dhe të përdorura për projektet përkatëse, do të konsiderohen si shuma borxhi të shlyera kundrejt qeverisë së Italisë. Rreth 20 milionë euro janë pjesë e kësaj marrëveshje dhe kësti i parë prej 500 mijë eurosh do të depozitohet brenda 30 ditëve nga nënshkrimi. Marrëveshja përcakton që afati i përdorimit të fondit për realizimin e projekteve të përzgjedhura është deri në dy vjet që nga momenti i depozitimit të këstit të fundit në llogarinë e fondit. Fondet e papërdorura deri në afatin e vendosur prej dy vjetësh, do t`i kthehen qeverisë italiane. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Italisë, për konvertimin e borxhit për zhvillim” është diskutuar edhe në Komisionin e Ligjeve dhe pas diskutimeve të deputetëve, është rënë dakord që drafti të kalojë për miratim në seancë plenare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›