E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time, përzgjedhja nga mesatarja e shkollës së mesme

25/10/2011  Fluks kërkesash për studimet e pjesshme, brenda dy ditësh zbardhen fituesit

Kriteret për shpalljen e fituesve të njëjta si për fakultete e para dhe të dyta

Sekretaritë mësimore të fakulteteve publike në kryeqytet kanë regjistruar fluks të lartë kërkesash për ndjekjen e studimeve part-time për vitin e ri akademik 2011–2012. Aktualisht janë mbyllur të gjitha procedurat e aplikimeve dhe nga të dhënat e raportuara prej sekretarive pohohet se kërkesat për studime janë disa herë më të larta sesa kuotat e miratuara nga qeveria. Pranë çdo departamenti janë ngritur komisionet, të cilat po verifikojnë një e nga një të gjitha dosjet e depozituara për të shpallur fituesit në çdo program. Duke iu referuar këtij fluksi të lartë kërkesash, ekspert e fakulteteve pohojnë se nota mesatare e dëftesës së shkollës së mesme do të shërbejë si kriter seleksionimi për kandidatët që do të pranohen në çdo program për ciklin e parë. Po në të njëjtën mënyrë do të veprohet edhe për fakultetet e dyta, ku edhe në këtë rast pohohet se selektimi i fituesve do të kategorizohet nëpërmjet mesatares. Edhe në këtë raund pranimesh fakultetet e Universitetit të Tiranës rezultojnë të jenë ndër më të preferuarit nga kandidatët që duan të vijojnë studimet me kohë të pjesshme si fakultet i parë ose i dytë. Në udhëzimin e shpallur pak kohë më parë saktësohet se shpallja e fituesve në secilin program ku janë miratuar kuotat e pranimeve do të bëhet brenda datës 27 tetor 2011 nëpërmjet afishimit të listave përkatëse. Po sipas afateve të përcaktuara, të gjithë kandidatët e shpallur fitues në programet e para të studimeve si dhe ata për fakultetet e dyta, duke filluar nga data 1 deri më 6 nëntor duhet të riparaqiten pranë këtyre sekretarive mësimore të fakultet për të bërë regjistrimin si student. Regjistrimi i kandidateve fitues do të bëhet vetëm me diplomën e maturës shtetërore dhe dëftesën e pjekurisë origjinale të shkollës së mesme. Pjesa tjetër e dokumenteve ndodhen në dosjen e mëparshme. Ndërsa kandidatët që nuk janë shpallur fitues, kanë të drejtë të tërheqin dosjen me dokumentet.

Shpallja e fituesve

Brenda dy ditëve të ardhshme komisionet e ngritura në çdo fakultet publik do të zbardhin edhe listën zyrtare të fituesve që pranohen në studimet part-time për çdo degë. Duke qenë se fluksi i kërkesave për studime është më i lartë se kuotat e miratuara, selektimi i fituesve është bërë nëpërmjet kriterit të notës mesatare të nxjerrë nga dëftesa e shkollës së mesme. Pas shpalljes së fituesve nis regjistrimi përfundimtar i fituesve, ku kësaj radhe duhet të dorëzojnë dokumentet origjinale.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›