E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italia kërkon 80 mijë punëtorë të huaj për vitin 2009

Pritet vetëm nënshkrimi i dekretit për të nisur realizimin e tij në praktikë. Shqiptarët që mund të përfitojnë nga dekreti i këtij viti për t’u punësuar në rrugë legale

Jonida Tashi

Qeveria italiane, për këtë vit, kërkon 80 mijë hyrje për punëtorë stinorë nga shtete jo-anëtare të BE-së. Megjithëse Dekret-Fluksi 2009 është i gatshëm teknikisht, ai ende nuk është botuar. Kjo po pengon edhe realizimin e tij në praktikë. Sipas autoriteteve italiane, në këtë dekret do të trajtohen me përparësi shtetas nga shtete me të cilat Italia ka marrëveshje bashkëpunimi, mes të cilave është edhe Shqipëria.
Dekreti
“Teksti i tij tashmë është hartuar. Dekreti autorizon 80 mijë hyrje të reja, të mjaftueshme për t’iu përgjigjur nevojës për fuqi punëtore stinore. Tani mungon nënshkrimi i presidentit të Këshillit të Ministrave për të kaluar më pas në Gjykatën e Llogarive dhe së fundi botimi në Gazetën Zyrtare”, - shpjegon Romano Magrini, i ngarkuari për Politikat e Punësimit i “Coldiretti”. Sipas përcaktimeve, edhe këtë vit, punëdhënësit duhet të paraqesin vetë kërkesa për punësim përmes internetit, apo duke iu drejtuar shoqatave të kategorisë. Romano Magrini sqaron se kërkesat për punëtorë të huaj mund të paraqiten vetëm pas botimit të Dekret-Fluksit të posaçëm. “Të mos harrojmë se më shumë se 50 për qind e fuqisë punëtore për bujqësinë vjen nga shtete jo-anëtare të BE-së dhe sektorë të tërë varen nga punëtorët imigrantë, që nga vjelja e frutave dhe perimeve deri në blegtori”, - pohon më tej Magrini.
Vonesa
Ndërsa presidenti i Konfederatës Italiane të Bujqve (CIA), Xhuzepe Politi, i ka shkruar ministrit të Punës, Sakoni, duke i kërkuar nxitjen e botimit të Dekretit. Sipas Politit, vonesa në botimin e Dekretit është shqetësuese, sepse programimi i flukseve përfaqëson një skadencë thelbësore për të mundësuar organizimin e aktiviteteve stinore të sektorit bujqësor, disa prej të cilave janë shumë emergjente, si për shembull, vjelja e luleshtrydheve. Politi shpreh shqetësimin edhe për ngadalësinë e shqyrtimit të kërkesave. Presidenti i Konfederatës Italiane të Bujqve shpjegon se vonesat për ndërmarrjet do të thonë kohë shumë të gjata, duke mbarsur rrezikun që punëtorët të vijnë jo në kohët më të volitshme për këtë lloj punësimi, apo aktivitetet për të cilat kërkohen.

Punësimi i studentëve, përcaktohet kufiri i orëve vjetore

Studentët e huaj lejohen të kryejnë çdo lloj pune në Itali, qoftë edhe punë rastësore, mjafton të mos tejkalohen 1040 orë vjetore. Ministria e Punës dhe ajo e Brendshme italiane sqarojnë se e rëndësishme është të mos punësohesh më shumë se 1040 orë në vit, përndryshe është e domosdoshme që të konvertohet leja e qëndrimit për motive studentore. Gjithçka sqarohet në një qarkore që në fundjavë Ministria e Brendshme ua përcolli të gjitha prefekturave. Nisma u ndërmor nga një pyetje që Instituti Kombëtar i Sigurimeve Shoqërore (INSP) ia drejtoi Ministrisë së Punës, lidhur me mundësinë që studentët nga shtete jo anëtare të BE-së të kryejnë punë rastësore. Ministria u përgjigj se “kufizimet për ushtrimin e një aktiviteti nga ana e atij që zotëron një leje qëndrimi për studim dhe formim profesional duhen kuptuar se i referohen çfarëdo tipologjie punësimi”.

5 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›